Ibra: Prerja ilegale e pyjeve vazhdon të mbetet problem në Kosovë

Prishtinë | 25 Jan 2026 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Prerja ilegale e pyjeve vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore të sektorit të pylltarisë në Kosovë, pavarësisht përpjekjeve institucionale dhe mbështetjes ndërkombëtare për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, raporton Ekonomia Online.

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Menderes Ibra në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se prerja ilegale e pyjeve vazhdon të mbetet shqetësuese, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe mjedisore.


“Duhet të kemi parasysh në terren ka prerje të planifikuara, po ne kemi fatkeqësisht prezent edhe fenomenin e prerjeve ilegale që është njëra nga problemet kryesore në pylltarinë e Kosovës, prerjet ilegale shkaktojnë dëme të shumta jo vetëm ekonomike por edhe në aspektin ambiental, por në bazë të dhënave tona nga terreni ka një trend të zvogëlimit të prerjeve ilegale por sidoqoftë kjo vazhdon të jetë prezente ende dhe ne me të gjitha mjetet që kemi dhe me rojet e pyllit dhe me institucionet e tjera jemi duke luftuar fenomenin e prerjeve ilegale të pyjeve”. ka përfunduar Ibra.

Ai përmendi edhe projektin “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Pyjeve në Kosovë”, ku ka përfituar mbështetje të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë, ndërsa projekti është zbatuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO). Në kuadër të këtij projekti, Agjencia është pajisur me 14 vetura dhe dronë për monitorimin e pyjeve.

“Duke ofruar edhe pajisje si donacion për punën tonë por edhe trajnime për ngritjen e kapacitetit të stafit, dhe në këtë drejtim në jemi mirënjohës donatorëve për këtë projekt sepse ka ofruar një ndihmesë për stafin e Agjencisë Pyjore të Kosovës për të kontribuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e pyjeve që është mandate ligjor”, tha ai.

Të ngjashme