Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar të dielën krijimin e një ekipi operativ dhe forcimin e kapaciteteve për ta ndihmuar vendin të ecë më hapa më të shpejtë në rrugën e tij evropiane.
Vuçiqi e bëri këtë propozim gjatë një seance të Qeverisë serbe.
Ai propozoi kreun e Misionit Serb në BE në Bruksel, Danijel Apostoloviq, si president të ekipit operativ.
Lideri serb deklaroi se ekipi duhet t’i ketë tetë deri në dhjetë persona në mënyrë që “ata të mund të jenë në kontakt çdo ditë përmes konferencës telefonike”.
Vuçiq e dha këtë ide për ta përshpejtuar punën për reformat sepse, siç pretendon ai, organi i mëparshëm koordinues nuk ishte mjaftueshëm efikas.
Ai tha gjithashtu se Serbia mbetet në rrugën evropiane.
Gjatë seancës së Qeverisë, ai shprehu disa kritika për punën e ministrave dhe drejtorëve të ndërmarrjeve publike, duke paralajmëruar shkarkime të mundshme.
Edhe pse ai njoftoi ditë më parë nga Davosi se seanca do të shqyrtonte dy kërkesa nga Shtetet e Bashkuara që do të mundësonin fillimin e një dialogu strategjik me Serbinë, ai nuk e përmendi këtë çështje në mbledhjen e Qeverisë të dielën.
Vuçiq më parë tha për TV Prva se është mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për disa gjëra, duke përfshirë pezullimin e bisedimeve strategjike me Prishtinën, licencën operative për Industrinë e Naftës të Serbisë dhe për mosvendosjen e Serbisë në “listën e zezë” për vizat e emigrantëve, gjë që, sipas tij, ishte një sinjal politik.
Vitin e kaluar, SHBA-ja e pezulloi për kohë të papërcaktuar fillimin e dialogut strategjik me Kosovën, për shkak të veprimeve të Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.
Kur bëhet fjalë për licencën e operimit, Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së ia zgjati atë NIS-it deri më 20 shkurt. Kjo i lejoi kompanisë të vazhdonte të operonte nën sanksionet e SHBA-së për shkak të pronësisë së saj me shumicë ruse.
Vuçiq i përmendi gjithashtu vizat e emigrantëve, përkatësisht njoftimin e janarit se administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po pezullonte lëshimin e vizave të emigrantëve për aplikantët nga 75 vende, përfshirë Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi, por jo Serbinë.
Vuçiq tha po ashtu se një takim mes anëtarëve të Parlamentit Evropian dhe kundërshtarëve të tij politikë në vend gjatë vizite në Beograd ishte “më qesharaku në botë”.
Vuçiq theksoi për TV Prva se i vjen “shumë keq që njerëzit tanë u kushtuan kaq shumë vëmendje atyre që erdhën”.
Ai i quajti eurodeputetët njerëz “krejtësisht të parëndësishëm”.
“Ata nuk dëgjojnë çfarë u thotë opozita. [Opozita] ua tregon atyre të gjitha gjërat më të këqija për Serbinë”, tha Vuçiq.
Ai gjithashtu e quajti të “pacipë” kërkesën e opozitës drejtuar delegacionit të Parlamentit Evropian për vendosur sanksione ndaj anëtarëve të partisë në pushtet në Serbi.
Delegacioni nga Parlamenti Evropian e vizitoi Beogradin nga 22 deri më 24 janar.
Delegacioni, i udhëhequr nga eurodeputetja portugeze Marta Temido, nuk u prit nga Vuçiq, e as nga kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, të cilët ndodheshin jashtë vendit.
Më herët, si Vuçiq ashtu edhe Bërnabiq kishin thënë se nuk donin të takoheshin me eurodeputetët, duke pretenduar se as nuk ishin njoftuar dhe as nuk ishin pyetur për mbërritjen e tyre, gjë që Parlamenti Evropian e mohoi.
Delegacioni prej pesë anëtarësh pati takime me përfaqësues të Qeverisë, një pjese të opozitës, medias, sektorit civil dhe komunitetit akademik.
Përfaqësuesit e opozitës proevropiane i kërkuan delegacionit të ridrejtojë fondet nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor te organizatat e shoqërisë civile dhe mediat që kontribuojnë në ruajtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ata gjithashtu kërkuan sanksione të personalizuara për njerëz nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe të tjerë.
Delegacioni evropian ishte në Serbi tre muaj pasi një Rezolutë u paraqit në Parlamentin Evropian, e cila diskuton polarizimin dhe rritjen e shtypjes në Serbi një vit pas shembjes së çatisë në Novi Sad, që la 16 të vdekur.
Pas vizitës së tyre në Beograd, eurodeputetët do t’ia paraqesin një raport një komisioni në Parlamentin Evropian. /REL