Kryeprokurori i Prishtinës për arrestimin e tre zyrtarëve të Komunës: Njëri nga ta është zënë në flagrancë

Prishtinë | 27 Jan 2026 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar për marrje ryshfeti, ndërsa njëri nga ta është kapur në flagrancë në mëngjesin e sotën, raporton Ekonomia Online.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka treguar për Ekonomia Online se arrestimi ndodhi mëngjesin e sotëm dhe se hetimet janë duke vazhduar. Ai nuk dha më shumë detaje.

“Janë shoqëruar tre persona të dyshuar, zyrtarë të komunës së Prishtinë nën dyshimin për marrje të ryshfetit. Njëri nga ta është zënë në flagrancë në kryerje të veprës penale”, tha shkurt Gashi.

Ndërsa përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se “Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe në koordinim të plotë me Gjykatën Themelore në Prishtinë, me masa të veçanta hetimore ka zhvilluar një aksion ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, nën dyshimin e veprës penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ në bazë të nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari I komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qellim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën.

Prokuroria Themelore në Prishtinë inkurajon të gjithë qytetarët të raportojnë për të gjitha veprat penale të natyrës së korrupsionit.

Të ngjashme