Shkelja e privatësisë ende sfidë për Kosovë, megjithatë gjobat e AIP patën efekt në vetëdijesim

Prishtinë | 28 Jan 2026 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Po vazhdon të jetë shqetësuese shkelja e të dhënave personale dhe privatësisë, sidomos në rastin edhe të fëmijëve, raporton Ekonomia Online.

Në forumin “FOL Hapur” që u mbajt në Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e ku temë e diskutimit ishte “Edukimi i të rinjve dhe informimi publik: Sfidat dhe mundësitë në mbrojtjen e të dhënave personale”, u tha se shqiptimi i gjobave ka pasë ndikim, por është bërë thirrje tek prindërit që të mbikëqyrin fëmijët në botën e internetit.

Krenare Sogojeva-Dermaku, Kominisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi gjatë fjalës së saj në këtë diskutim përmendi faktin edhe të fëmijëve të klasave të pesta të cilët kanë shumë njohuri në botën digjitale, por që thekson ata nuk janë mjaftueshëm të vetëdijshëm që të kuptojnë rrezikun nga kjo.

“Prandaj sot më shumë se kurrë ne kemi bërë thirrje në këtë fushatë, e kemi nis me moton “Privatësia fillon nga ti”, qëllimi është që ta çojmë mesazhin e qytetari që ne duhet ta dimë të drejtën tonë, por edhe duhet të edukohemi e të mësohemi si të sillemi në internet. E çka është shumë e rëndësishme dhe ajo që na prek të gjithëve është si ta mbrojmë fëmijun tonë në internet. Dhe sivjet fushatën e kemi bërë në shkolla. Sot në shumicën e shkollave është fol për privatësinë…Është se nga një gjeneratë e klasës së 5 gjetëm fëmijë që aq mirë e njohin botën digjitale, e dinë masat e sigurisë, por ku qëndron problemi? Është mbikëqyrja nga ana e prindërve sepse fëmiu në moshën që ka, ai nuk është i vetëdijshëm mjaftueshëm ta kuptojë rrezikun. Prandaj bëjmë thirrje te prindërit”, tha Sogojeva-Dermaku.

Sogojeva-Dermaku tregoi edhe në lidhje me shqiptimin e gjobave dhe kush janë shkelësit më të mëdhenj.

“Kemi shqiptuar gjoba dhe këtë vit ndaj kontrolluesve që kanë bërë shkelje të privatësisë. Është me qëllim të ceket që gjobat janë shqiptuar qoftë për institucione publike, private apo për persona fizik që ushtrojnë veprimtari publike. Së fundmi kemi shqiptuar gjoba dhe ndaj një media. Çdo kontrollues që ka obligim mbrojtjen e të dhënave, dhe përmbajtjes së kritereve të ligjeve, dhe normalisht në momentin që kemi ankesën atëherë do të jenë vendimet, qoftë sanksionuese, detyruese apo qoftë shpesh edhe shkatërrim të të dhënave që mblidhen jo ligjërisht. Por a ka pasur efekt gjoba dhe a ka ndikuar në ndërgjegjësim, e them me shumë përgjegjësi se po. Në momentin kur ushtrohet e drejta ose thjesht përdoret mekanizmi sanksionues për shkeljen e një të drejte të njeriut, si në këtë rast privatësia e individit, atëherë troket në media që duhet të marrin masat e sigurisë, në mënyrë që të mos jenë kontrolluesit e ardhshëm që mund të gjobiten. Ka pasur, por kryesisht ka pasur në sektorë të cilët tashmë veç investojnë dhe shesin, si të them, besim. Kur them shesin besim, iu referohem bankave. Kemi sektor që nëse qytetarët nuk kanë besim te ta, ata edhe regjistrohen si biznese”, tregoi ajo.

E kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha ka thënë përmendur disa nga rastet kur shkelet privatësia nga mediat por edhe rastet kur e drejta për ekspozim është në anën e gazetarëve.

“Një rast konkret ka të bëjë me arrestimin e 109 personave në Komunën e Prizrenit dhe ka për manipulim të votave atje dhe ka pasur ankesa të atyre që janë arrestuar, por edhe të familjarëve se është shkelur privatësia e tyre me publikimin e jo vetëm fotografive dhe videove të arrestimit, por edhe të dhënave të tjera… ata janë thjesht të dyshuar se shumica nga ta janë liruar e as nuk janë mbajtur në paraburgim. Këtu për të mbrojtur njerëzit dhe privatësinë e tyre rol ka edhe ata që e kanë kryer aksionin që është Prokuroria dhe Policia e Kosovës, pra për të bërë një menaxhim të të gjithë procesit. Por gjithsesi, s’më duket se kam asgjë kundër publikimit të informatave lidhur me deputetët që akuzohen që kanë pasur ndikim në tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet votimit të tyre. Derisa deputetët janë figura publike dhe kanë garuar për një post kaq të rëndësishëm për të vendosur mes tjerash edhe për fatin e Kosovës, me votimin e tyre në parlament. Nëse djali, nipi apo dikush i afër, atëherë është e pritshme që mediat janë të interesuara dhe do ta vënë interesin publik para privatësisë”, theksi Rexha.

Tek rastet me fëmijët, Rexha përmend raportimin e mediave që u bë mbrëmjen e e së martës ku një fëmijë u gjet i vdekur në një lum në Gadime.

“Natyrisht, në shumicën e rasteve duhet të triumfojë ideja e privatësisë së njerëzve, ajo që ka të bëjë me pritjen e vendimeve të Gjykatës para se dikush të ekspozohet në mënyrë të tillë në publik dhe mbi të gjitha thirrja jonë e vazhdueshme dhe ajo çka bëjmë si AGK është bashkëpunimi me media për të ruajtur dhe për të pasur kujdes me kategorinë e fëmijëve. Shqetësimi ynë kryesor gjithmonë lidhet me ekspozimin e fëmijëve, ndonjëherë bëhet në mënyrë të pavetëdijshme, ndonjëherë ekspozimi i fëmijëve bëhet edhe për ndonjë ndihmë apo kauzë, por gjithmonë është e rëndësishme të merret pëlqimi i prindërve apo kujdestarit. Dje p.sh. një fëmijë ra në lum dhe doli menjëherë fotografia e tij. Njëherë u tha se është shpëtuar, është gjetur dhe pastaj pas një kohe u raportua se është gjetur i vdekur dhe kjo mund të shokojë një pjesë të audiencës dhe pastaj i përket edhe audiencës të mbajë përgjegjës mediat për atë se si i ekspozojnë fëmijët”, nënvizoi Rexha.

Të ngjashme