Qytetarët e “zhytur” në kredi, Gërxhaliu: Është koha kur duhet të kemi institucione stabile

Prishtinë | 31 Jan 2026 | 09:00 | Nga Drita Dërmaku

Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat në Kosovë gjatë vitit 2025 arriti në 2.684 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3.8 për qind, krahasuar me vitin paraprak, e që po vlerësohet se po vjen si pasojë e drejtpërdrejt e ngërçit politik dhe mungesës së projekteve kapitale.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se duhet të ketë një dialog të mirëfilltë dhe stabilitet politik, e jo  banka të jetë zgjidhja e vetme për qytetarët e në disa raste edhe institucionet mikrofinanciare, por edhe në forma të tjera të kriminalizuara ku lulëzon fajdeja.

 “Aspekti ekonomik në Kosovë është vërtet shqetësues. Këtë e kuptojnë qytetarët dhe bizneset, por fatkeqësisht nuk e kuptojnë politikanët që duhet ta kenë parasysh këtë realitet ekonomik të krijuar. Është një ngulfatje dhe një mungesë e likuiditetit nga fakti që që një vit e gjysmë ne nuk kemi institucione, që një vit e gjysmë nuk ka projekte në partneritetin publiko-privat ku ato projekte i implementon sektori privat”, tha ai.

Një nga pasojat më të rënda të kësaj mungese likuiditeti, sipas tij, është pamundësia e bizneseve për të shlyer borxhet ndaj njëri-tjetrit.

“Kemi borxhe mes bizneseve për shërbime dhe punë të kryera, dhe e tëra kjo vërtet e sfidon sektorin privat ku duhet të jetë i orientuar ose në banka komerciale për kredi, ose në institucione mikrofinanciare, por edhe në forma të tjera të kriminalizuara ku lulëzon fajdeja. E kemi paralajmëruar një situatë të tillë ku kreditë do të jenë në rritje e sipër. Pra, kjo rritje e kredive, po e shihni që është një rritje në heshtje e kamatave bankare dhe nuk duhet të na habisë fakti pse bankat komerciale në Kosovë e kanë këtë mundësi të përfitimeve, sepse janë adresa e vetme e sektorit privat”, theksoi ai.

Gërxhaliu thekson se zgjidhja nuk duhet kërkuar vetëm te bankat, por te stabiliteti politik.

“Prandaj besoj që është koha kur duhet të kemi institucione stabile, duhet të kemi stabilitet politik, duhet të kemi dialog të mirëfilltë dhe jo gjithmonë të jetë banka adresa e vetme për të zgjidhur problemet. Fakti që në Kosovë kemi më tepër se 200 mijë kompani të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, fakti që në Kosovë e kemi vetëm diku përafërsisht një të tretën e këtyre bizneseve aktive, e dëshmon më së miri pasivizimin dhe pasivitetin ekonomik që e ka kapluar Kosovën”, nënvizoi Gërxhaliu.

Ai potencoi se përfitimet e bankave komerciale janë rezultat i drejtpërdrejtë i “heshtjes institucionale” dhe mungesës së alternativave për sektorin privat.

“Është koha kur vërtet për ekonomi të bëhet më tepër dhe në fund të fundit nuk duhet të na pengojë apo të na irritojë fakti që bankat komerciale janë duke përfituar sepse ato po e shfrytëzojnë momentin e heshtjes institucionale. Sepse po të ketë projekte, po të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë me sektorin privat, me siguri adresa kishte me qenë tek institucionet dhe jo tek bankat komerciale”, nënvizoi ai.

Përveç bizneseve, Gërxhaliu ka vënë në pah edhe gjendjen e rënduar të familjeve kosovare.

“Dhe krahas rritjes së kredive për biznese, ne kemi rritje edhe të “overdraft”-eve apo kredive konsumuese, që duhet të jetë brenga më e madhe, sepse vërtet jeta në Kosovë çdo ditë e më shumë është më e shtrenjtë, më e papërballueshme. Dhe fakti që 48% e familjeve në Kosovë nuk kishin mund ta përballonin një shtesë të re të shpenzimeve prej 200 euro, e dëshmon më së miri ku është Kosova në aspektin ekonomik, në aspektin social, por mbi të gjitha në trajtimin e sektorit privat dhe qytetarëve të saj”, shtoi ai.

Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat në Kosovë gjatë vitit 2025 arriti në 2.684 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3.8 për qind, krahasuar me vitin paraprak (2024), kur kjo vlerë ishte 2.587 miliardë euro.

Të ngjashme