Abdixhiku dorëzon dorëheqjen para Kuvendit të LDK-së, vendimi i lihet delegatëve

Prishtinë | 31 Jan 2026 | 13:36 | Nga Ekonomia Online

Kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij para delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, duke theksuar se vendimi përfundimtar tashmë i takon këtij forumi.

Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku tha se, me ndjenjë të plotë përgjegjësie, ia paraqet Kuvendit dorëheqjen nga posti i kryetarit, me qëllim që çështja e votëbesimit të vendoset drejtpërdrejt para delegatëve.

“Të dashur delegatë, me përgjegjësi të plotë po ia paraqes Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit, në mënyrë që ky Kuvend të vendosë për votëbesimin,” u shpreh Abdixhiku.

Ai theksoi se ky veprim nuk ka për qëllim krijimin e krizave apo përçarjeve brenda partisë, por qartësimin e drejtimit politik që duhet ndjekur në të ardhmen.

“Nuk e bëj këtë për të shkaktuar krizë, por për të sqaruar rrugën që duhet të ndjekim përpara. Nuk e bëj për ta ndarë LDK-në, por për ta forcuar dhe bashkuar atë,” tha ai, duke iu drejtuar delegatëve me pyetjen se si e shohin vazhdimin e tij si kryetar dhe të ardhmen e partisë.

Abdixhiku përfundoi duke theksuar se çfarëdo vendimi që do të marrë Kuvendi, ai do ta pranojë dhe respektojë me dinjitet dhe besim të plotë në procesin demokratik të LDK-së.

“Prandaj, më lejoni të flas jo për atë që kam qenë, por për mënyrën se si e kam kuptuar këtë detyrë dhe këtë shtëpi që na bashkon. Kam shërbyer në këtë detyrë me bindjen se kryetari nuk është pronar i partisë, por shërbyes i saj. Me bindjen se mandati nuk është privilegj personal, por barrë kolektive. Dhe me bindjen se çdo kryetar i LDK-së, në fund të ditës, duhet të jetë i gatshëm ta vendosë veten përballë anëtarësisë së vet, pa frikë dhe pa kalkulim. Gjatë gjithë kësaj kohe, kam shërbyer me përkushtim të plotë dhe me dashuri të sinqertë për njerëzit tanë. Për degët tona, nëndegët tona, për garat tona në çdo anë. Kam shërbyer me përgjegjësi për veprimtarët tanë. Për ata që nuk kanë pasur as tituj e as pozita, por që e kanë mbajtur LDK-në gjallë me besim, me punë dhe me sakrificë. I kam konsideruar si një familje të vërtetë politike. Dhe si në çdo familje, kemi pasur momente krenarie, por edhe momente dhimbjeje”.

“Sepse kjo parti ka kaluar sfida shumë më të mëdha. Dhe gjithmonë ka dalë më e fortë kur ka ditur të vendosë parimin mbi emocionin dhe interesin e përbashkët mbi interesin personal. Për fund,Shumë sy kanë qenë të drejtuar kah kjo karrige pas meje. I kuptoj. I respektoj. Kjo shtëpi ka nevojë për ambicien e secilit. Por shpesh, kam përshtypjen se ajo është lakmuar më shumë sesa është kuptuar. Sepse forca e vërtetë e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk qëndron në një karrige të vetme. Ajo qëndron këtu përballë meje. Në këtë sallë. Në vullnetin tuaj. Këtu përcaktohet fati i secilit prej nesh dhe këtu matet fuqia jonë e vërtetë”.

“Prandaj, nga ky moment, i kaloj punimet tek Kryesia e Punës e këtij Kuvendi. Këto punime duhet të jenë të pavarura nga çfarëdo ndikimi individual. Dhe, sikurse në mars të vitit 2021, kur ju më dhatë privilegjin më të madh jetësor, të ju prijë, do të ulem sërish si njëri nga 355 delegatët e kësaj shtëpie të madhe të demokracisë që e desha pa kusht”, tha ai.

Të ngjashme