Ehat Miftaraj: Sulmet ndaj gjyqësorit strategji e qëllimshme e pushtetit, e ul besimin e publikut

Prishtinë | 06 Shk 2026 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Ehat Miftaraj nga IKD, ka reaguar lidhur me, siç thotë ai, sulmet e vazhdueshme ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë, duke theksuar se kjo ka qenë strategji e qëllimshme e partisë në pushtet gjatë pesë viteve të fundit.

“Kemi parë ministra, deputetë apo figura politike duke sulmuar pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Në pesë vitet e fundit ka qenë strategji e partisë në pushtet që, përmes sulmeve sistematike ndaj gjyqësorit të rregullt apo Gjykatës Kushtetuese, të delegjitimohet sistemi i drejtësisë në Kosovë”, ka shkruar Miftaraj.

Sipas tij, këto sulme jo vetëm që kanë cenuar pavarësinë e gjyqësorit, por kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në rënien drastike të besimit të qytetarëve në drejtësi.

“Kjo ka shkuar deri në atë masë sa jo vetëm e cenon pavarësinë e tij, por edhe e ul besimin e publikut në nivelin më të ulët të mundshëm”, ka theksuar ai.

Miftaraj ka paralajmëruar se situata është përkeqësuar më tej me etiketimin dhe kërcënimin publik të gjyqtarëve dhe prokurorëve individualë për shkak të punës që kryejnë.

“Si asnjëherë më parë janë etiketuar dhe kërcënuar gjyqtarë dhe prokurorë individualë për shkak të punës që e kryejnë”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, Miftaraj ka kritikuar edhe paraqitjet publike të një gjyqtareje të Gjykatës Supreme, duke e cilësuar sjelljen e saj si të papranueshme për pozitën që mban.

“Del një gjyqtare e Gjykatës Supreme dhe fillon me i sulmu dhe me iu dhënë epitete të caktuara politikanëve nëpër studio televizive. E njëjta komenton sjellje politike për politikanë dhe flet si analiste politike”, ka shkruar Miftaraj.

Ai ka kërkuar reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse për ruajtjen e integritetit të sistemit gjyqësor.

“Gjykata Supreme dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet urgjent me ndal një sjellje të tillë. Ruane pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor”, ka theksuar ai.

Sipas Miftarajt, mosreagimi i institucioneve do të çojë drejt një degradimi edhe më të madh të rolit të gjyqësorit në shoqëri.

“Mos reagimi urgjent i Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka me na sjell shpejt në studio televizive debate politike ku marrin pjesë gjyqtarë e prokurorë në njërën anë dhe politikanë në anën tjetër”, ka paralajmëruar ai, duke përfunduar reagimin me thirrjen: “Ndalja mikrofonin gjyqtares, aman!”.

Të ngjashme