Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu dhe drejtori i Sekretariatit të KGjK-së, Shkëlzen Maliqi, po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, në kuadër të Programit Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë.
Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni kosovar ka zhvilluar takime dhe vizita zyrtare në institucione të larta gjyqësore dhe ekzekutive të Turqisë, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykatën e Kasacionit, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Shtetit.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, dhe kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj, janë pritur në takim nga kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Turqisë, Ömer Kerkez, me të cilin kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy sistemeve të drejtësisë. Sipas komunikatës, në këtë takim është theksuar rëndësia e “shkëmbimit të përvojave profesionale dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit”.
Delegacioni i Kosovës ka zhvilluar gjithashtu takime të ndara me zëvendësministrin e Drejtësisë, Hurshit Yıldırım, kryetarin e Akademisë së Drejtësisë së Turqisë, Bekir Altun, zëvendëskryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Basri Bagci, zëvendëskryetarin e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, Fuzuli Aydogdu, kryetarin e Këshillit të Shtetit, Zeki Yigit, si dhe presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren.
Në komunikatë thuhet se këto takime janë vlerësuar si “mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për mbështetjen e projekteve në fushën e sundimit të ligjit”.
“Në kuadër të kësaj vizite, në Turqi po qëndrojnë edhe gjyqtarët e rinj të gjeneratës së 13-të nga Kosova, të cilët po ndjekin Programin Ndërkombëtar të Trajnimit për Administrimin e Drejtësisë. Ky program organizohet nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), me qëllim të avancimit të kapaciteteve profesionale dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional”, thuhet në njoftim.
Sistemi gjyqësor i Kosovës ka shprehur mirënjohje për Akademinë e Drejtësisë së Turqisë dhe TİKA-n “për mbështetjen e vazhdueshme dhe për realizimin e kësaj vizite të rëndësishme dhe frytdhënëse”.