Haxhiu pret përfaqësuesit e komunitetit Ashkali: Diversiteti është forca e Republikës

Prishtinë | 15 Shk 2026 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendi i Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim deputetin Artan Asllani dhe përfaqësues të komunitetit Ashkali, me rastin e Ditës së Komunitetit Ashkali dhe Ditës së Flamurit të tyre.

Haxhiu bëri të ditur se në këtë takim morën pjesë përfaqësues të nivelit qendror e lokal, si dhe aktivistë të komunitetit Ashkali.

“Sot, me rastin e Ditës së Komunitetit Ashkali dhe Ditës së Flamurit të tyre, mirëprita në Kuvend deputetin Artan Asllani, të shoqëruar nga përfaqësues të nivelit qendror e lokal dhe aktivistë të komunitetit Ashkali”, ka shkruar ajo.

Ajo theksoi kontributin e komunitetit Ashkali në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, duke e vlerësuar angazhimin e përfaqësuesve dhe aktivistëve të tij.

“Në këtë takim theksova kontributin e komunitetit Ashkali në shoqërinë dhe shtetin tonë, si dhe angazhimin e përfaqësuesve dhe aktivistëve të tij, që është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit dhe bashkëpunimit në vend”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, në takim u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballet ky komunitet dhe për rëndësinë e bashkëpunimit institucional.

“Bashkë reflektuam mbi sfidat me të cilat përballet komuniteti dhe mbi mënyrën se si, duke bashkëpunuar, i kapërcejmë së bashku. Diversiteti dhe bashkimi nuk janë thjesht forca jonë si shoqëri, por forca e vetë Republikës”, është shprehur ajo.

Kryetarja e Kuvendit theksoi përkushtimin e institucionit që drejton për barazi dhe mundësi të barabarta për komunitetet joshumicë.

“Si Kryetare e Kuvendit, falënderova deputetin dhe përfaqësuesit për angazhimin e tyre dhe kujtova se, krahas përpjekjeve të ekzekutivit për të mbështetur komunitetin edhe Kuvendi do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për barazi dhe mundësi të barabarta për të gjithë, veçanërisht për komunitetet joshumicë”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo gjithashtu ka uruar të gjithë qytetarët e komunitetit Ashkali me rastin e kësaj dite.

“Urime Ditën e Flamurit dhe Ditën e Komunitetit Ashkali për të gjithë qytetarët e këtij komuniteti!”, ka shtuar kryetarja e Kuvendit.

Të ngjashme