Banka Qendrore e Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë kanë hapur në Prishtinë ekspozitën “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”, e ku u vlerësua bashkëkpëunimi mes dyja bankave e ky synim është ndërgjegjësimi i publikut për rolin e parasë dhe bankave qendrore, raporton Ekonomia Online.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili tha se kjo ekspozitës nuk është vetëm një paraqitje e monedhave dhe kartëmonedhave, por një rrëfim i gjatë i historisë ekonomike.
“Kjo ekspozitë nuk është vetëm një paraqitje e monedhave dhe kartëmonedhave, por një rrëfim i gjatë i historisë sonë ekonomike, shoqërore dhe institucionale. Ajo na udhëheq nëpërmjet evolucionit të parasë shqiptare gjatë një shekulli, duke reflektuar proceset e shtetndërtimit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve financiare. Ekspozita e sotme në Kosovë vjen në vazhdën e 100-vjetorit të Bankës Qendrore të Shqipërisë, si dëshmi konkrete e bashkëpunimit të ngushtë ekonomik dhe dinamik mes institucioneve tona dhe e përkushtimit tonë të përbashkët për ta ndarë këtë trashëgimi me publikun në vendet tona. Hapja e saj në Prishtinë përkon me javën kur do të shënojmë 18-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Prandaj, ekspozita “Paraja rrëfen” synon të nxisë ndërgjegjësimin e publikut për rolin e parasë dhe bankave qendrore, si dhe për rëndësinë e stabilitetit financiar”, tha Ismaili.
Ndërsa Gent Sejko nga Banka Qendrore e Shqipërisë tha se historia e Bankës Qendrore dhe e monedhës shqiptare shpaloset në tre epoka kryesore, të formësuar nga ndryshimet politike
“Kjo ndalesë në Kosovë ka një kuptim të veçantë. Historia jonë e përbashkët e shkruar me sakrifica, përpjekje, dhe vizion. Lidhja shqiptare e Prizrenit, dhe figura si Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri dhe shumë të tjerë i kanë dhënë formë legjendës kombëtare dhe shtetit shqiptar në kohëra. Dhe po aq e natyrshme është që një ekspozitë që flet për paranë, për BQK-në, dhe për rrugëtimin e shtetit shqiptar të vizitojë Kosovën, sepse historia që paraja shpalos është e jona, është histori e shqiptarëve kudo që jetojnë. Historia e Bankës Qendrore dhe e monedhës shqiptare shpaloset në tre epoka kryesore, të formësuar nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike, dhe ngjarjet ekonomike që kanë përcaktuar fatet e Shqipërisë… Sot vendimet financiare janë bërë më të shpeshta dhe më komplekse. Në dekadat e fundit shumë banka qendrore në botë e kanë zgjeruar komunikimin e tyre me publikun edhe për të krijuar ura të reja komunikimi. Ekspozitat, muzetë, programet për shkollat dhe aktivitetet me qytetarët janë mënyra për të bërë një institucion kompleks, më të afet dhe më transparent me publikun”, ka thënë ai.



