Futbollisti sllovak thotë se Kosova do të jetë agresive

Prishtinë | 23 Shk 2026 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Kosova do të luajë më 26 mars ndaj Sllovakisë në Bratislavë, në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Futbollisti Tomas Suslov e ka komentuar ndeshjen që Sllovakia do ta luajë ndaj Kosovës.
Mesfushori i Hellas Veronas, Suslov, në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë i lavdëroi futbollistët e Kosovës.

Suslov tha se Kosova do të jetë agresive ndaj Sllovakisë.

“Kosova do të jetë shumë agresive. Lojtarët e saj kanë mentalitet të fortë dhe për ta kjo është një mundësi e veçantë për t’u kualifikuar në Botëror. Prandaj pres një ndeshje të fortë dhe të barabartë, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën”, u shpreh Suslov.

Suslov me Sllovakinë ka 40 ndeshje të luajtura dhe katër gola të shënuar.

Suslov ka qenë i lënduar që nga muaji gusht i vitit të kaluar dhe të premten e kaluar pas një kohe të gjatë u kthye në fushë dhe luajti nëntë minuta në disfatën që e pësoi Verona nga Sassuolo me rezultatin 3:0.

Ai e kishte këputur ligamentin kryqëzor të gjurit të majtë.

23-vjeçari ndeshjen e fundit me Sllovakinë e luajti më 23 mars të vitit të kaluar ndaj Sllovenisë.

Të ngjashme