Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
PDK shpreh mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj si zë i Kosovës në forumet ndërkombëtare ku vendi ynë nuk ka prezencë, si dhe si përforcuese e zërit tonë aty ku ai tashmë dëgjohet.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë krah Kosovës në momentet kyçe të shtetndërtimit. Mbështetja e saj diplomatike është e çmuar dhe duhet të thellohet edhe më tej”, theksoi Hamza.
Në takim u diskutua edhe për situatën politike në vend. Kryetari Hamza njoftoi ministren Spiropali se mbetet e hapur për bashkëpunim dhe konstruktivitet për çdo çështje në interes të Kosovës.
Nga ana e saj, ministrja Spiropali konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare.
Kryetari Hamza mirëpriti ftesën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkëpunim në parandalimin e padrejtësive dhe përpjekjeve për rishkrimin e historisë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“E vërteta historike e luftës sonë çlirimtare nuk mund dhe nuk duhet të relativizohet. Bashkëpunimi institucional dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm për ta mbrojtur atë me argumente, dokumente dhe prezencë ndërkombëtare”, theksoi Hamza.
U propozua edhe konkretizimin i këtij bashkëpunimi përmes një agjende të përbashkët me tryeza, konferenca ndërkombëtare dhe angazhim institucional, deri te nisma për debat dhe rezolutë në Këshillin e Evropës.
