Real Madrid ka plane të nënshkruajë me një qendërmbrojtës të ri këtë verë, pasi synon të përmirësojë repartin defensiv në rast se dy nga lojtarët aktualë largohen në fund të sezonit.
Antonio Rudiger dhe David Alaba janë në fund të kontratës, dhe duke qenë në të 30-at e tyre, drejtuesit e klubit mund të vendosin të ndahen prej tyre sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjatë muajve të fundit janë përmendur disa objektiva, megjithëse disa emra kanë rënë nga lista, si Marc Guehi dhe Dayot Upamecano.
Ibrahima Konate vazhdon të jetë një opsion i rëndësishëm, por së fundmi vëmendja është kthyer nga Borussia Dortmund dhe mbrojtësi gjerman Nico Schlotterbeck.
Gjithnjë e më shumë po duket e mundshme që Schlotterbeck të largohet nga Dortmundi në verë.
Ai ka refuzuar të rinovojë kontratën e re, ndërsa marrëveshja aktuale i përfundon në vitin 2027, çka do të thotë se klubi gjerman mund të vendosë ta shesë për të përfituar financiarisht.
Real Madridi është i vetëdijshëm se ai mund të përfaqësojë një mundësi të mirë në treg dhe, sipas “Diario AS”, marrëdhënia pozitive mes dy klubeve mund t’i japë madrilenëve një avantazh në negociata.
Veçanërisht, presidenti Florentino Perez admirohet nga ish-CEO i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, i cili vazhdon të respektohet nga zyrtarët e klubit gjerman edhe pas largimit në vitin 2025.
Aktualisht, në krye është Lars Ricken, i cili mban një qëndrim të ngjashëm, ndërsa ndjenja në zyrat e “Bernabeut” konsiderohet reciproke.
Mbetet për t’u parë nëse Real Madridi do të bëjë një lëvizje konkrete për Schlotterbeck.
Ai do të ishte një përforcim i shkëlqyer përkrah lojtarëve si Eder Militao, Dean Huijsen dhe Raul Asencio, dhe mund të mos jetë i vetmi mbrojtës qendror që afrohet, veçanërisht nëse Rudiger dhe Alaba largohen pas përfundimit të kontratave të tyre./GE