Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sjelljen e mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti, pasi sipas tyre është penguar fizikisht gazetarja e Klan Kosova, Vesa Hoda, teksa po përpiqej të bëjë pyetje për zhvillimet politike në vend.
Në reagimin e tyre, AGK thekson se gazetarja kishte tentuar të parashtrojë pyetje lidhur me krizën rreth zgjedhjeve të reja, pas një ngjarjeje publike, kur njëri nga pjesëtarët e Policisë që ishte pjesë e mbrojtjes së afërt të kryeministrit e ka shtyrë fizikisht.
“Gazetarja ka provuar të bëjë pyetje për krizën rreth zgjedhjeve të reja pas një ngjarje, kur njëri prej pjesëtarëve të Policisë ka shtyrë fizikisht gazetaren. Kjo është një sjellje e papranueshme dhe minim i punës së gazetarëve dhe mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Tutje, AGK u ka bërë thirrje institucioneve që të mos pengojnë punën e mediave.
“AGK-ja i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Zyrës së Kryeministrit që mos krijojnë pengesa, por të lejojnë gazetarët dhe mediat që të bëjnë punën e tyre në kërkim të përgjigjeve për tema të interesit publik”, thuhet në reagim.