Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj dy personave për pranim ryshfeti në KEDS

Prishtinë | 09 Mar 2026 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet B.B. dhe E.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i rryshfetit në sektorin privat” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 25 shkurt 2026, rreth orës 14:30, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, brenda Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike – KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, kërkuan drejtpërdrejt shumën prej 400 euro nga dëmtuari A.H.

Qëllimi, sipas aktakuzës, ishte për të përshpejtuar procedurën për vendosjen e një njëhsori elektrik në lokalin e A.H.-së në fshatin Sojevë. Pasi i pandehuri dhe i pandehuri tjetër i bënë me dije dëmtuarit se vendosja e njëhsorit do të vonohej për 5 deri në 6 muaj në rast të mospagesës, ata u kapën dhe arrestuan në flagrancë nga Policia e Kosovës pas zbatimit të masave të veçanta hetimore.

“Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘Pranimi i rryshfetit në sektorin privat’ nga neni 309 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së,” thekson Prokuroria.

Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Të ngjashme