Tre aeroplanë bombardues amerikanë të tipit B-1 raportohet se u nisën më herët të martën nga baza e Forcës Ajrore Mbretërore të Britanisë së Madhe, “RAF Fairford”, sipas BBC-së.
Ardhja e bombarduesve B-1 dhe B-52 në “RAF Fairford”, bazë që ndodhet në pjesën jugperëndimore të Anglisë, ka tërhequr njerëz që i përcjellin aeroplanët si dhe fotografë amatorë.
Disa prej tyre i thanë gazetares së BBC-së, Ellie Price, se kanë numëruar 12 bombardues të tipit B-1, pasi katër aeroplanë të tillë kishin aterruar më herët.
Gazetarja thotë se ka parë shumë aktivitet në bazë. Disa prej aeroplanëve i kanë motorët të ndezur, ndërsa disa të tjerë shihen me staf afër, që duket se po i kontrollojnë ata.
As Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe, as Pentagoni në ShBA nuk kanë konfirmuar nëse ndonjëri prej këtyre aeroplanëve është përfshirë në ndonjë mision bombardues në Iran.