Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për dy të pandehur për fajde dhe detyrim

Prishtinë | 12 Mar 2026 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren njofton se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurve E.K. dhe A.K., të cilët aktualisht ndodhen në ndalim 48 orësh. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Detyrimi” nga neni 328 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas hetimeve, i pandehuri E.K., nga viti 2021, ka dhënë shuma parash viktimës B.Ç., duke përfituar kamatë dukshëm jo proporcionale, që ka arritur mbi 400,000 euro vetëm nga ky person,” bëri të ditur Prokuroria.

Ndërkohë, viktima e dytë, B.B., u përfshi për t’i ndihmuar të parit në shlyerjen e borxhit, ndërsa të pandehurit kërkonin gjithsej 550,000 euro. Për të siguruar këtë shumë, ata kërkuan që viktima B.Ç. t’u kalonte në pronësi dy lokale afariste dhe një shtëpi, me vlerë rreth 1 milion euro.

Prokuroria shtoi se të pandehurit përdorën forcë dhe kanosje për të detyruar viktimat. “Më datë 11 mars 2026, viktima B.Ç. së bashku me nënën e tij u detyruan të shkonin fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat dhe më pas të vazhdonin procedurat noteriale. Megjithatë, në aplikim të masave të veçanta hetimore, policia ndërhyri dhe arrestoi të pandehurit,” u tha në njoftim.

Gjatë aksionit, Prokuroria sekuestruar pasuri, para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, akte noteriale dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprat penale.

“Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, mbrojtjen e viktimave dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin,” thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme