Në një mbledhje të Jashtëzakonshme Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në një mbledhje të jashtëzakonshme kanë trajtuar dorëheqjen e Prokurorit të Shtetit, Jeton Koca, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi ka treguar se njoftimin nga Koca për dorëheqje e kishte bërë më 13 shkurt të këtij viti. Ndërsa arsyet i ka cekur të jenë personale.
“Ju njoftojmë se me 13 shkurt 2026 kemi pranuar nga Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë zoti Jeton Koca njoftimin për dorëheqjen nga pozita e prokurorit të shtetit. Koca ka njoftuar se arsyet e dorëheqjes janë personale dhe nuk do t’i bëjë publike në këtë dokument”, tregoi Gashi.
Zëvendëskryesuesi Dardan Vuniqi ka uruar Kocën për angazhimin e tij në të ardhmen
“Duke njohur përvojën e z.Koca unë shfrytëzojë rastin t a falënderoj për angazhimin dhe kontributin e dhënë në sistemin prokurorial. Natyrisht që përvoja e tij edhe jashtë institucioneve të Republikës së Kosovës i ka bërë mirë dhe nder dhe mirë sistemit prokrurial, megjithatë meqë lidhet me motive personale dhe i njëjti nuk i ka dhënë, unë shfrytëzoj rastin ta falënderoj për angazhimin, kontributin dhe bashkëpunimin që ka dhënë në sistemin prokurorial të Kosovës. Besoj dhe uroj që z. Koca kudo që do të vazhdojë rrugëtimin e tij profesional si një prej juristëve më të mirë që kemi ne do të kontribuojë dhe do të kujdeset ta ruaj rolin e integritetit të prokurorit të shtetit”, tha ai.
Këtij urimi i është bashkuar edhe kryesuesi Gashi.
“Urimit i bashkëngjitëm dhe unë për kontributin që ka dhënë. Natyrisht që është e drejtë e secilit të zhvillojë karrierën kudo që ai apo ajo dëshiron”, tha ai.
Por është anëtarja Elza Bajrami-Kastrati, e cila e konsideroi jokorrekte që pas një viti të jepet dorëheqje, pikiërisht kur Këshilli ka investuar në këtë por edhe akademia e drejtësisë.
“Padyshim që është e drejtë personale e secilit të jap dorëheqje apo të qëndrojë në punë, mirëpo mendoj që sidomos rastet e tilla kur jepet dorëheqja pas një viti, vetëm një vit pune, mandatin fillestar ku është bërë investimi nga këshilli, nga ana e Akademisë s drejtësi besoj që është jo korrekt. Prokurori e ka cekur që janë arsye shumë personale e të cilat nuk don t’i bëjë të ditura, ndoshta janë arsye shume personale dhe nuk mundet t’i ndajë me ne. Por dhënia e dorëheqjes në këtë mënyrë është jokorrekte edhe për Këshillin dhe kolegët e prokuror. Këshilli ka investuar në prokuror, ka llogaritar në këtë prokuror, kemi llogaritur në bashkëpunimin e tij dhe pas një viti, të marrë 12 paga, të punojë vetëm gjatë kohës që është një komoditet i punës si prokuror, mendoj që nuk është korrekte”, tha ajo.
Ndërsa, anëtari Milot Krasniqi ka thënë se është për keqardhje largimi i një prokurori si Jeton Koca.
“Duke njohur Jetonin edhe para periudhës kur ka qenë prokuror mendoj që kontributi i tij duhet të vlerësuar dhe çmuar nga Këshilli. Përtej letrës të cilën e ka adresuar që e kemi lexuar të gjithë, unë nuk di arsye tjerat. Por është për keqardhje që po largohet një prokuror i mirë në të cilën edhe ne si sistem por edhe prokuroria ka llogaritur në të. Por sidoqoftë proceset duhet të vazhdojnë, ndërkaq raste të tilla të jenë sa më të pakta, sepse vërtetë ne kemi nevojë më shumë për prokuror, rekrutim të ri të prokurorëve”, vlerësoi ai.

