I akuzuari për sulmin në Banjskë: Një ditë para rastit isha në vikendicë bashkë me shokë

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

I akuzuari Dushan Maksimoviq gjatë dhënies së mbrojtjes deklaroi se një ditë para sulmit terrorist në Banjskë, më 23 shtator 2023, ka qenë në vikendicë bashkë me disa shokë.

I akuzuari Maksimoviq tha se në ditën kur ka ndodhur sulmi në Banjskë para orës 7:00 të mëngjesit kishte ardhur në banesë nga vikendica, ku kishte qenë një ditë më parë dhe kishte hyrë në banesë me kolegun e tij- Nemanja dhe bashkëshorten Izidora, të cilët sipas tij, kanë shprehur dëshminë që të dëshmojnë në këtë gjykatë për ta treguar të vërtetën, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas tij, më 23 shtator 2023 kishte shkuar rreth orës 9:00 në punë në Ranjska Banja dhe kishte filluar ndërrimin e rregullt. Më pas, thotë se kisht shkuar tek kafeneja dhe ishte kthyer rreth orës 16:00.

“Sipas marrëveshjes paraprake, unë dhe Gjorgji dhe Dushani (Dushan Kostiq) i kemi paketuar gjërat për vikendicë pasi që Dushani ka qenë zot shtëpie- mikpritës”, tha ai.

Ai deklaroi se pothuajse çdo vikend ndonjëri nga miqtë ishte nikoqir për t’u mbledhur bashkë, e asaj radhe ishte Dushan Kostiq. Tha se vikendica e këtij të fundit ishte rreth 4 km nga Banjska në fshatin Suhodoll.

Maksimoviq tha se aty kishin bërë gril, kanë pirë e dëgjuar muzikë. Më pastaj, tha se iu bashkuan edhe shokët Dushan Angjokoviq, Filip Filijeviq, Sasha Milosavleviq, Milan Maksimoviq dhe Millosh Sadusavleviq.

“Pra, kemi qenë diku 8 persona, unë e kam bërë grilin. Jemi ulur kemi pirë dhe pas një periudhe të gjatë bisedash kemi nisur temën se si duhet të përfundonim banjon që e kemi suvatuar në kuadër të vikendicës para tre-katër muajsh, e që na ka mbet të ndreqim disa shtylla rreth derës dhe pasi që të nesërmen ka qenë e diel, dhe kam qenë i lirë, kam vendos të mbes aty t’i rregulloj ato dy-tri shtylla”, tha i akuzuari.

Edhe shokët, ai thotë se i kishin thënë se do t’i ndihmonin. Tha se aty kishin pirë shumë, e diku pas mesnate tha se shokët bënë plan të shkonin t’i merrnin enët.

Maksimoviq deklaroi se pasi kishin rënë për të fjetur dikur rreth orës 3:30, dëgjoi Dushan Angjokoviqin duke biseduar me dikë në telefon, ku bëhej fjalë për disa krisma.

“E kam pyetur çka po ndodh, ai më ka thënë se po ndodhin disa gjuajtje në Banjskë dhe mendoj se e ka thirrur Nemanjan- vëllau i Gjorgjes. Pas kësaj, e kam marrë telefonin tim, e kam pa që kam pas thirrje të humbur”, shtoi ai.

Sipas tij, përshtypja e tij e parë ishte se ka ndodhur ndonjë incident, ngase kishte raste të kontrabandës. Andaj, tha se e kishte telefonuar një shok me emrin Millosh i cili jetonte në qendër të fshatit, i cili i ka thënë se nuk e di se çfarë po ndodh.

I akuzuari thotë se në vikendicë i dëgjonin krismat, por që vendosën të mos zbresin në fshat deri të agonte dite. Pastaj, tha se rreth orës 6:30 shkuan në ndërtesë, ku sipas tij, qëndroi deri të nesërmen në mëngjes.

Të ngjashme