Komuna e Graçanicës i njofton serbët: Është thjeshtuar procedura për marrjen e dokumenteve të Kosovës, afati deri më 16 qershor

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës është thjeshtuar procedura për marrjen e dokumenteve kosovare, njoftoi Shërbimi i Gjendjes Civile i Komunës së Graçanicës.

Siç thuhet, qytetarëve nga Kosova që posedojnë dokumente të lëshuara nga Serbia u mundësohet paraqitja e kërkesës për regjistrim, përkatësisht regjistrimin në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës, shkruan mediumi lokal serb, Radio Kontakt Plus.

Kjo mundësi u referohet të gjithë qytetarëve në territorin e Kosovës, të cilëve strukturat ilegale të Serbisë u kanë lëshuar dokumente në bazë të vendbanimit në Kosovë në periudhën nga 10 qershori 1999 deri më 15 mars 2026.

Qytetarët që i plotësojnë këto kushte mund të paraqesin kërkesa për transkriptim, përkatësisht regjistrim në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës, për të marrë dokumente – ekstrakte nga librat amë të lindjeve, martesave dhe vdekjeve, njoftoi Komuna e Graçanicës, shkruan Gazeta Express.

Afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrim në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës është deri më 16 qershor 2026.

Të ngjashme