Vizita e tretë e ambasadorit austriak në UP, konfirmohet mbështetja e vazhdueshme

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Universiteti i Prishtinës ka pritur sot për herë të tretë ambasadorin e Austria në Kosovë, Georg Schnetzer, i cili rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet UP-së dhe institucioneve austriake.

Gjatë takimit me rektorin Arben Hajrullahu, u diskutuan projektet e përbashkëta dhe planet për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Në fokus ishin zhvillimi i programeve të përbashkëta studimore, shkëmbimi i studentëve dhe profesorëve, si dhe avancimi i procesit të ndërkombëtarizimit të universitetit.

Pas takimit, rektori dhe ambasadori vizituan bibliotekën austriake të vendosur në Fakultetin e Filologjisë, një hapësirë me rëndësi historike e themeluar në vitin 1997, në kohën kur studentët dhe profesorët e UP-së ishin të përjashtuar nga objektet universitare.

Bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe Austrisë ka një traditë të gjatë, duke përfshirë mbështetje në fuqizimin e legjislacionit universitar dhe zhvillimin e kapaciteteve akademike. Një numër i konsiderueshëm i stafit akademik të UP-së ka përfunduar studimet në universitete austriake, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

Universitetet austriake mbeten ndër të parat në Evropë që u ofruan mundësi studimi maturantëve kosovarë gjatë viteve ’90, duke njohur diplomat e lëshuara nga autoritetet e asaj kohe.

Kjo është vizita e tretë e ambasadorit Schnetzer në UP gjatë mandatit të rektorit Hajrullahu, pas vizitave të mëparshme në nëntor 2024 dhe mars 2025, kur u përurua edhe sheshi “Erhard Busek” në kampusin universitar.

Të ngjashme