Më 26 mars, kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të playoff-it e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Botëror, që sivjet mbahet në ShBA, Meksikë dhe Kanada.
Pak ditë para këtij dueli shumë të rëndësishëm për “Dardanët”, ka folur trajneri Franco Foda.
Për gazetën e njohur austriake, Kronen Zeitung, Foda tha skuadra është përgatitur me intensitet të lartë për ndeshjen vendimtare ndaj Sllovakisë.
“Unë dhe ndihmëstrajnerët e mi kemi udhëtuar shumë gjatë muajve të fundit, duke vëzhguar lojtarët tanë”, deklaroi ai, duke theksuar se objektivi është i qartë, transmeton Klankosova.tv.
“Kur arrin deri këtu, natyrshëm dëshiron të bësh hapin tjetër. Javën tjetër do të përballemi me Sllovakinë në udhëtim. Nëse kualifikohemi më tej, do të kemi një ndeshje në shtëpi kundër fituesit të duelit Turqi – Rumani”, shtoi Foda.
Kosova ka arritur në këtë fazë pas një ecurie mbresëlënëse në grup, ndërsa strategu gjerman e vlerëson kundërshtarin si shumë të fortë, sidomos në shtëpi.
“Sllovakët janë jashtëzakonisht të fortë në shtëpi, gjë që tregoi edhe fitorja e tyre kundër Gjermanisë. Por tani kemi më shumë lojtarë cilësorë në skuadër. Opsionet dhe cilësia janë rritur me ardhjen e Fisnik Asllanit, Leon Avdullahut dhe Albion Hajdarit. Ne kemi fituar tashmë jashtë vendit kundër Suedisë, Sllovenisë dhe Islandës. Kështu që kemi shumë besim. Do të thosha gjasat janë 50 me 50”, shtoi 59-vjeçari.
Gjermani foli edhe për atmosferën dhe mbështetjen e madhe që gëzon Kombëtarja e Kosovës.
“Rrugës për në redaksinë tuaj, dy kosovarë që jetojnë në Graz më ndalën në rrugë dhe më uruan suksese. Kjo tregon se të gjithë janë në ankth. Është e jashtëzakonshme sa shumë tifozë udhëtojnë me ne. Ndihemi si në shtëpi kudo. Në Suedi gjysma e stadiumit ishte me kosovarë. Kjo i jep ekipit energji të madhe”, u shpreh ai.
Foda shtoi se askush nuk e priste që Kosova të arrinte në këtë fazë në një grup me kundërshtarë të fortë, ndërsa theksoi se ekipi e ka merituar plotësisht këtë sukses.
Sa i përket një kualifikimi të mundshëm në Kupën e Botës 2026, ai u tregua i matur.
“Jo, nuk mund të bëjmë plane përpara ndeshjeve kualifikuese. E vetmja gjë e sigurt është se kampi ynë do të vendoset mes Los Angelesit dhe San Franciscos. Nëse shkojmë në Kupën e Botës, do të doja të flija në një hotel për të rinj”, deklaroi ai me humor.
Kombëtarja e Kosovës synon ta shkruajë historinë, derisa përballja me sllovakët do të jetë testi më i madh deri më tani për skuadrën e drejtuar nga Foda.