Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, po kthehet në një pikë kyçe jo vetëm për energjinë, por edhe për furnizimin me ushqim të mbi 100 milionë njerëzve.
Rreth 20 për qind e tregtisë globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm kalon përmes saj, shkruan cnn.
Për vendet e Gjirit Persik, kjo ngushticë është një “arterie jetike” për importin e ushqimeve, për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe mungesës së tokës së punueshme.
Situata është përkeqësuar nga tensionet ushtarake mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që kanë shkaktuar sulme ndaj anijeve tregtare dhe një bllokim praktik të kalimit detar.
Vendet e rajonit varen në mënyrë të madhe nga importet ushqimore: Arabia Saudite importon mbi 80 për qind të ushqimit, Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 90 për qind, ndërsa Katari arrin deri në 98 për qind.
Edhe Iraku, megjithë burimet ujore të lumenjve Tigër dhe Eufrat, mbështetet në këtë rrugë për një pjesë të konsiderueshme të furnizimeve ushqimore.
Me kufizimin e kalimit në Hormuz, kompanitë e transportit po kërkojnë rrugë alternative, që janë më të shtrenjta dhe më të vështira për t’u menaxhuar.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të çojë në rritje çmimesh dhe mungesa në tregjet lokale.
Zhvillimet e fundit mund të krijojnë një efekt zinxhir në ekonominë globale, duke ndikuar jo vetëm tek energjia, por edhe tek siguria ushqimore në një nga rajonet më të ndjeshme të botës.