Sllovakia përballet me lëndime, Calzona vlerëson Kosovën

Prishtinë | 25 Mar 2026 | 21:08 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Sllovakisë po përballet me lëndime para ndeshjes së rëndësishme ndaj Kosovës të enjten mbrëma në Bratislavë. 

Tashmë është konfirmuar mungesa e David Durishit, futbollistit të krahut të majtë që aktivizohet te Rosenborgu në Norvegji. 

Në dyshim është edhe kapiteni Milan Skriniar. Qendërmbrojtësi me përvojë është edhe kapiten i Fenerbahçes në Turqi. 

“Kemi edhe disa orë për ta parë gjendjen e Milan Skriniarit. Do ta shohim gjendjen e tij dhe vendimin do ta marrim të enjten në mëngjes. Do të bëjmë çdo gjë që ai të luajë. Por, kemi tjetër problem, David Durish ka lëndim në shpatull. Ai është lënduar në palestër, në një stërvitje të thjeshtë dhe nuk do të mund të llogarisim në të ndaj Kosovës”, ka informuar përzgjedhësi Francesco Calzona në konferencën për shtyp. 

Përzgjedhësi italian ka qenë i matur në deklarata dhe e ka vlerësuar Kosovën, që është 30 pozita më poshtë se Sllovakia në renditjen e FIFA-s. 

“Kosova ka ekip shumë mirë të organizuar. E siguroi Ligën B të Ligës së Kombeve dhe kishte kampanjë të mirë kualifikuese për Botëror. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë”, ka thënë Calzona. 

Sllovakia përfundoi në vendin e dytë në grupin e kualifikimeve për Botëror, prapa Gjermanisë. 

Në konferencë ishte edhe Martin Dubravka, portieri me përvojë që ka luajtur në dy Kampionate Evropiane me Sllovakinë. Ai ka thënë se dëshiron që të luajë edhe në një Kampionat Botëror. 

37-vjeçari paraqitet te Burnley në Premier League. 

“Kosovarët kanë kualitet në mbrojtje, do të jetë ndeshje interesante. Është ndeshje me shumë rëndësi për ne. Ne duam të fitojmë e t’i kënaqim tifozët që na kanë përkrahur vazhdimisht”, ka thënë Dubravka që ka 59 paraqitje për Sllovakinë.

Të ngjashme