Në Komisionin për Buxhet trajtohet Kredia për rrugën Prishtinë – Mitrovicë

Prishtinë | 26 Mar 2026 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës, më 27.03.2026, do mbajë mbledhjen e radhës në të cilën parashihet të trajtohen tetë pika të rendit të ditës.

Kjo mbledhje mbahet pas rikthimit në funksion të Kuvendit si rezultat i nxjerrjes së aktgjykimit i Gjykatës Kushtetuese nëpërmjet të cilit është vlerësuar se dekreti i presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik.

Ndër pikat që priten të shqyrtohen në Komisionin për Buxhet janë buxheti i komunës së Zubin Potokut për vitin 2026 dhe shqyrtimi i projektligjit për marrëveshje të kredisë për projektin e rrugës “Prishtinë – Mitrovicë”.

Gjatë kësaj mbledhjeje, siç bëhet e ditur, do shqyrtohen projektligjet për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK” dhe projektligji ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.

Krahas tyre, në shqyrtim do të jetë edhe ratifikimi i marrëveshjes së kredisë për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
Mbledhja e fundit e këtij komisioni ishte më 04.03.2026 ku u miratua projeksioni buxhetor për RTK-në.

Puna e komisioneve në Kuvend u ndal pas shpërndarjes së Kuvendit nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila më 06.03.2026, si pasojë e kalimit të afatit 30 ditor para skadimit të mandatit aktual të saj kishte shpallur dekretin e shpërndarjes së Kuvendit.

Me aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi i ka 34 ditë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Nëse dështon zgjedhja e kreu të shtetit, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme mbahen brenda 45 ditësh.


Të ngjashme