Eta thyen barrierat në Bundesligë, bëhet trajnerja e parë në elitën e meshkujve

Prishtinë | 12 Pri 2026 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Pak para mesnatës të së shtunës, klubi i Bundesligës, Union Berlin, befasoi botën e futbollit duke shkarkuar trajnerin kryesor Steffen Baumgart së bashku me ndihmësit Danilo de Souza dhe Kevin McKenna.

Sipas drejtorit menaxhues për futbollin profesionist të meshkujve, Horst Heldt, i cituar në faqen zyrtare të klubit, ky vendim erdhi si pasojë e një “gjysmësezoni të dytë absolutisht zhgënjyes”.

“Na duhen urgjentisht pikë për të siguruar qëndrimin në ligë”, deklaroi Heldt, duke shtuar se nuk beson më se një “kthesë mund të arrihet me strukturën aktuale”.

Përkohësisht, ekipin do ta drejtojë Marie Louise Eta, e cila aktualisht është trajnere e U19 dhe nga kjo verë do të marrë drejtimin e ekipit të femrave.

“Jam i kënaqur që Marie Louise Eta ka pranuar ta marrë këtë rol në mënyrë të përkohshme”, tha Heldt.

Eta bëhet kështu trajnerja e parë femër në historinë e një lige elitare të meshkujve në Evropë, edhe pse në mënyrë të përkohshme. Ajo vetë shprehet optimiste për mbijetesën:

“Jam mirënjohëse që klubi më ka besuar këtë detyrë sfiduese. Një nga pikat e forta të Unionit ka qenë gjithmonë bashkimi dhe mobilizimi në situata të vështira. Dhe, natyrisht, besoj fuqishëm se me këtë ekip do t’i sigurojmë pikët vendimtare.”

Baumgart ishte rikthyer në Berlin në janar të vitit 2025 – ish-sulmuesi kishte luajtur për Unionin nga viti 2002 deri më 2004.

Pas gjysmës së parë të sezonit, Union renditej në vendin e nëntë me 23 pikë, por që nga rifillimi dimëror, skuadra e Baumgart arriti të grumbullojë vetëm edhe nëntë pikë.

Të ngjashme