Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda ka kërkuar që Kuvendi t’i adresojë vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ai ka thënë se në mbledhjen e mbajtur këtë të martë, e kanë shqyrtuar këtë projektligj, por që sipas tij, në draftin aktual nuk janë adresuar vërejtjet e dy institucioneve kryesore.
“Sipas vlerësimit tim, në këtë draft nuk janë adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Komisionit të Venecias. Tani mbetet mundësia që, mes dy leximeve në Kuvend, ky ligj të përmirësohet dhe të sillet në përputhje me Kushtetutën”, ka shkruar Gruda.
Në mbledhjen e së martës, komisioni e ka miratuar me 7 vota për dhe 2 kundër Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.