Kryenegociatori takohet me shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë

Prishtinë | 15 Pri 2026 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, me ftesë të znj. Eva Palatová, Ushtruese e Detyrës së Shefes së BE-së në Kosovë, zhvilloi takim njoftues me Shefat e Misioneve (HoMs) të shteteve anëtare të BE-së.

Diskutimi u përqendrua në ecurinë e procesit të integrimit të Kosovës në BE, progresin në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF), si dhe në nevojën për forcimin e koordinimit institucional dhe garantimin e zbatimit të qëndrueshëm të reformave.

Kryenegociatori falënderoi BE-në dhe shtetet anëtare për ndihmën dhe kontributin në zhvillimin e Kosovës dhe theksoi se fokusi i tij kryesor do të jetë avancimi drejt statusit kandidat dhe hapja e negociatave si hapa të natyrshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Zulfaj ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është një përpjekje e përbashkët. Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së, ndan vlerat e përbashkëta evropiane, prin në rajon në indekset e avancimit demokratik dhe ka mesatare të lartë të zhvillimit ekonomik, andaj avancimi drejt anëtarësimit në BE është hap i natyrshëm dhe i merituar.

Takimi ofroi hapësirë për diskutim të hapur mbi sfidat dhe mundësitë përpara, si dhe rëndësinë e dinamizimit të procesit dhe të bashkëpunimit institucional në funksion të avancimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të ngjashme