Shala: Gjendja në “Trepçë” e rënduar, minatorët po përballen me rreziqe dhe paga të vonuara

Prishtinë | 18 Pri 2026 | 08:30 | Nga Drita Dërmaku

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka deklaruar se minatorët e “Trepçës” po përballen me vështirësi të shumta, si në aspektin e sigurisë në punë ashtu edhe në vonesa të pagave.

Shala në një intervistë për Ekonomia Online thotë se gjendja e përgjithshme në këtë ndërmarrje vazhdon të mbetet e rënduar dhe për këtë ai fajësoi pushtetin dhe nivelin menaxherial.

Duke folur për shkaqet e grevave të njëpasnjëshme dhe situatën aktuale në muajt e fundit, Shala theksoi problemet e thella strukturore dhe menaxheriale në ndërmarrje.

“Nisur nga të gjitha raportet zyrtare, gjendja në ndërmarrjen ‘Trepça’ është jo e mirë, apo shumë e rënduar në kuptimin edhe juridik, edhe në kuptimin ekonomik. Kuptimi juridik, sepse atje nuk ka lëvizje më juridike sa i përket çështjes së përmirësimit të aspektit juridik të ndërmarrjes, dhe nuk është lëvizur më asgjë nga aspekti shtetëror që të nxirren aktet normative nga Ligji i Trepçës, si dhe hapa të tjerë si udhëzime administrative që e rregullojnë dhe e përmirësojnë mënyrën e punës dhe funksionimit të Trepçës. Atje nuk është bërë asnjë veprim që 20% e aksioneve të punëtorëve të legalizohen, të qartësohen dhe të vlerësohen, sepse me ligj ‘Trepça’ është shoqëri aksionare dhe 20% janë pjesë e aksioneve të punëtorëve, e të cilët në asnjë rast nuk i gëzojnë ato”, tha ai.

Deputeti Shala, theksoi se mungesa e investimeve kapitale dhe rënia e prodhimit në Trepçë kanë përkeqësuar gjendjen ekonomike të dnërmarrjes.

“Aspekti tjetër është që në Trepçë nuk ka investime kapitale, nuk ka praktikisht asnjë investim kapital në përmirësimin e teknologjisë eksploatuese. E ku nuk ka teknologji adekuate, të re, do të thotë nuk ka as prodhim, dhe të dhënat tregojnë që prodhimi ka rënë si asnjëherë tjetër, në minimum. Rënia e prodhimit ka vështirësuar gjendjen ekonomike të ndërmarrjes, e në këtë rast ka vështirësuar tej mase edhe kushtet e punëtorëve. Kur i shtojmë kësaj mënyrën jo të mirë menaxheriale, që ekipet disa herë brenda pesë viteve janë ndërruar (edhe bordet, edhe drejtorët ekzekutivë), atje kemi pasur, si me thënë, një kohë ku janë bërë eksperimente me nivelet menaxheriale”, thotë deputeti.

Sipas tij, të gjitha këto probleme po reflektohen drejtpërdrejt te punëtorët, të cilët përballen me rreziqe dhe pasiguri të vazhdueshme.

“Të gjitha këto parregullsi dhe shkelje mbi supe po i mbajnë një pjesë e minatorëve, që edhe punojnë, edhe nuk paguhen sa duhet e si duhet, por mbi të gjitha janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të mbrojtjes dhe sigurisë në punë, si dhe janë të ekspozuar ndaj presioneve politike. Duke e pasur parasysh që tashmë ka të dhëna dhe i shihni edhe në media që pothuajse në mënyrë permanente, të vetmet informacione që kemi janë largimi i një punëtori nga puna, apo lëndimi i punëtorëve në punë, e kështu me radhë. E këto veprime të gjitha e kanë vështirësuar gjendjen e përgjithshme, edhe atë sociale, të minatorëve”, shtoi ai.

Duke folur për ndikimet politike në ndërmarrje, Shala theksoi se ndërhyrjet kanë qenë të vazhdueshme dhe me pasoja për funksionimin e saj.

“Partia në pushtet menaxhon me ndërmarrjen ‘Trepça’. Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Njësia për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike pranë kësaj ministrie, është linja direkte apo hierarkia direkte juridike e menaxhimit të ndërmarrjes. Në këtë rast, ne kemi pasur vendosje kadrovike krejtësisht politike, e këto kuadro politike të papërgatitura për industrinë minerare, të papërgatitura për të menaxhuar dhe për të udhëhequr, kanë vepruar politikisht, dhe politikisht miniera nuk ka arritur që të rezultojë me rezultat pozitiv. Në këtë rast, po them, presioni politik sidomos mbi ekipin menaxhues, profesional, inxhinierik dhe punëtorët në minierë, ka qenë jashtëzakonisht i madh viteve të fundit”, potencon Shala.

Ai theksoi se nuk ka asnjë tregues pozitiv për gjendjen aktuale të ndërmarrjes.

“Jo, nuk ka asnjë parametër pozitiv. Fatkeqësisht asnjë parametër pozitiv, dhe ‘Trepça’ sot nuk arrin që t’i përmbushë financiarisht as pagat e punëtorëve. Pra, në esencë, ka dhjetëra milionë euro për mbarëvajtje që janë duke operuar me dinamikë, ndërsa në anën tjetër, krejt ato çka kanë realizuar është një pjesë e subvencioneve të qeverisë. Pra, nga një aspekt tjetër, “Trepça” po mbahet nga taksat e qytetarëve, ndërsa shteti tash e gjashtë vite nuk ka marrë asnjë cent të hyra nga një ndërmarrje ekonomike minerare, që do të duhej realisht të sillte mjete financiare”, thotë Shala.

Deputeti Shala shtoi se përveç pagave, probleme ka edhe me të drejtat tjera të punëtorëve dhe sigurinë në punë.

“Fatkeqësisht, një pjesë e punëtorëve nuk kanë marrë as pjesët e tjera që u takojnë. Tash ka probleme të mëdha me çështjen e mëditjeve të parregullta dhe shumë gjëra të tjera, por që realisht edhe siguria e tyre ka qenë e diskutueshme. Tash nuk e di në momentin e fundit çfarë kanë bërë, por në situatën e përgjithshme, ‘Trepça’ është ekonomikisht jorentabile, nuk prodhon, nuk mund t’i përmbushë obligimet. Maksimumi i tyre janë shpenzimet fikse, për të mirëmbajtur një pjesë të tyre, por është situatë jashtëzakonisht delikate. Linjat e prodhimit kanë rënë në minimum, investime të reja nuk ka, dhe kur s’ka prodhim, s’ka eksport, s’ka të hyra. Pra, është një keqmenaxhim për të cilin do të duhej dikush të japë llogari, për gjithë këtë situatë dhe për humbjet milionëshe që po i krijohen shtetit me këtë ndërmarrje”, theksoi tutje ai.

Sa i përket pagave, ai konfirmoi se vonesat kanë qenë të vazhdueshme dhe me pasoja për punëtorët.

“Po, ka pasur permanent vonesa në paga, me muaj të tërë janë vonuar. Ka pasur dhe ende ka, do të thotë që një pjesë e Trustit nuk u është paguar punëtorëve, nuk janë paguar sigurimet shëndetësore në disa reparte apo njësi të caktuara. Kështu që në këtë relacion, do të thotë dëmi ka qenë permanent dhe është permanent. E vetmja gjë që ka qenë (konstante), është vendosja e strukturave politike dhe punësimet partiake e politike”, nënvizon ai.

Duke folur për nevojën për investime, ai theksoi se “Trepça” ka potencial për t’u rikthyer në tregjet globale të metaleve, por kërkohet menaxhim profesional dhe mbështetje financiare.

“Tash, me këtë situatë ekonomike globale, ‘Trepça’ do të duhej të ishte e gatshme për linja të fuqishme prodhimi, sepse tregjet e kërkojnë lëndën e parë që e ka ‘Trepça’, apo e kërkojnë edhe prodhimin final eventual nëse do të arrinim që t’i finalizonim produktet. Pra, tregu i metaleve është në krizë për shkak të luftërave në Ukrainë e në Iran, por ne nuk jemi në asnjë nivel të afërt që të përmbushim këto kërkesa të tregut global me produktet dhe resurset që i kemi ne.

Kjo punë do një menaxhment të mirëfilltë, një politikë qeveritare të mirëfilltë, një fond për rimëkëmbje urgjent, por, mbi të gjitha, duhet një ekip menaxhues profesional. Që të gjitha këto fonde dhe gjithë këtë planifikim që do të duhej ta kishim, ta kishte në dorë një ekip implementues profesional e jo politik. Pastaj gjithsesi do të ishte situatë tjetër. Ne po humbim shumë shanse për t’u rikthyer në tregjet globale të metaleve, pikërisht për shkak të mosmenaxhimit të mirë dhe mosrespektimit adekuat të ligjeve të cilat ne sot i kemi në industrinë e përgjithshme”, u shpreh Shala.

Të ngjashme