Nagavci për gjuhën e deputetit Geci: Janë deklarata individuale dhe të pandikuara

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci është distancuar sërish nga gjuha ofenduese dhe seksiste e deputetit të Guxo-s, Fatos Geci, raporton Ekonomia Online.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Nagavci dënoi gjuhën e deputetit, i cili uroi burgim të përjetshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili aktualisht po mbahet në paraburgim në Hagë.

“Menjëherë pas fjalës së deputetit Geci në Kuvend, unë si kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kam marr menjëherë fjalën në Kuvend dhe jam distancuar nga gjuha e përdorur dhe e kam përsëritur edhe një herë qëndrimin që është i ditur, Lëvizja Vetëvendosje respekton dhe nderon vlerat e luftës së drejtë, të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe beson që Gjykata Speciale është një padrejtësi që i është bërë Kosovës”, tha Nagavci.

Ndër të tjera ajo tha se qëndrimi i deputetit Geci ka qenë personal dhe e pandikuar nga askush.

Nagavci, po ashtu u distancua edhe nga gjuha seksiste që deputeti Geci përdori ndaj nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku.

“Ndërsa sa i përket deklaratës seksiste që ai pati në raport me deputeten Çitaku, natyrisht që dënojmë një gjuhë të tillë, edhe këtu edhe në Kuvend. Angazhimi jonë është që si shoqëri, një gjuhë e tillë të mos përdoret në asnjë rast, askund. Janë deklarata individuale të deputetit Geci”, u shpreh Nagavci.

Të ngjashme