IPK rekomandon suspendimin për një zyrtar policor në Prishtinë

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Sipas komunikatës, rekomandimi është bërë nga hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së, pas zhvillimit të hetimeve lidhur me këtë rast.

“Hetuesit e Departamentit të Hetimeve i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Fillimisht, hetimet janë nisur nga Policia e Kosovës, por pas dyshimeve për përfshirjen e një zyrtari policor, në rast janë përfshirë edhe hetuesit e IPK-së.

“Fillimisht hetimet lidhur me këtë rast janë filluar nga Policia e Kosovës, kurse pas dyshimeve për përfshirjen si të dyshuar edhe të një zyrtari policor, bazuar në fushëveprimin ligjor janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së”, theksohet më tej.

Sipas IPK-së, hetimet ndaj zyrtarit policor po zhvillohen për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”.

“Hetimet ndaj zyrtarit policor janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale’, kurse pas konsultave me prokurorinë rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.

IPK ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me prokurorinë.

“Hetuesit e IPK-së, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e tij”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme