Kosova dhe Shqipëria synojnë thellimin e bashkëpunimit doganor

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Përgjithshëm i Dogana e Kosovës, Agron Llugaliu ka pritur në takim zyrtar Drejtorin e Dogana e Shqipërisë, Besmir Beja, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë që nga marrja e mandatit.

Gjatë takimit, të dy drejtorët kanë vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy administratave, duke theksuar rëndësinë e thellimit të tij në të ardhmen.

“Të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin e thellë dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy administratave, duke theksuar se të dyja vendet ofrojnë kapacitete të konsiderueshme për zhvillim të përbashkët”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kuadër, u theksua edhe rëndësia e integrimit të proceseve doganore, i cili tashmë ka dhënë rezultate konkrete në rritjen e shkëmbimeve tregtare.

“Integrimi i deritanishëm, i cili ka mundësuar zhdoganimin në Portin e Durrësit, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe fuqizimin e transitit përmes këtij porti”, theksohet më tej.

Po ashtu, gjatë takimit janë diskutuar zhvillimet më të fundit në të dy administratat dhe janë identifikuar fusha të reja për bashkëpunim, me fokus në lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e transparencës.

“Palët ritheksuan angazhimin për koordinim të ngushtë dhe u dakorduan për të ndjekur një plan të përbashkët me fusha të identifikuara bashkëpunimi, me qëllim që shkëmbimet të jenë të shënjestruara dhe në përputhje me interesat strategjike të administratave të të dyja vendeve”, thotë tutje komunikata.

Të ngjashme