Në kuadër të konferencës së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) për 10-vjetorin e themelimit, është mbajtur paneli i tret me temën “Bashkëpunimi rajonal i skemave të garancisë: Mundësitë dhe rruga tutje”, ku u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe zgjerimin e mbështetjes për bizneset, raporton Ekonomia Online.
Pjesëmarrësit në panel vlerësuan se bashkëpunimi rajonal duhet të nisë me ndarjen e njohurive dhe ndërtimin e besimit, për të kaluar më pas në zhvillimin e produkteve të përbashkëta financiare.
Drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shqiptar të Garancionit për Zhvillim, Gertjana Drita, tha se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të garancisë kreditore është i domosdoshëm dhe tashmë kanë nisur hapat e parë në këtë drejtim.
“Sa i përket bashkëpunimit rajonal, po, mendoj se si institucione të garancisë kreditore mund të bashkëpunojmë dhe ndoshta të prezantojmë edhe produkte financiare. Por besoj se bashkëpunimi nuk fillon me produktet financiare. Ai fillon me ndarjen e njohurive, me një kuptim të përbashkët dhe me ndërtimin e besimit. Mendoj se tashmë kemi hedhur hapa të parë në bashkëpunimin rajonal ndërmjet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, fondacionit serb dhe atij shqiptar. Presim me padurim të bashkëpunojmë edhe me fondacionin e Malit të Zi, pse jo, dhe edhe më gjerë përtej këtyre vendeve. Pra, po, ne adresojmë boshllëqet e tregut, por gjithashtu mund të bëjmë më shumë për të mundësuar mbështetje për bizneset që sot operojnë ndërkufitare, përmes garancive kreditore”, tha ajo.
Sekretarja gjenerale e Asociacionit Evropian të Skemave Garantuese, Katrin Strum, theksoi se misioni kryesor i këtyre institucioneve mbetet adresimi i dështimeve të tregut.
“Arsyeja dhe misioni themelor për të gjitha këto institucione të garancisë mbetet i njëjtë. Ai është adresimi i dështimeve të njohura të tregut, dhe me dështime të tilla kam parasysh, nga njëra anë, edukimin financiar, dhe nga ana tjetër mungesën e kolateralit”, tha ajo.
Ajo shtoi se skemat e garancisë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt objektivave specifike si digjitalizimi dhe standardet ESG.
“Por, natyrisht, shohim gjithashtu se ekziston një tendencë që fondet të orientohen drejt qëllimeve të caktuara specifike. Dhe si bëhet kjo? Nga njëra anë, vendosen objektiva politikash, si për shembull ESG dhe digjitalizimi. Kemi pasur edhe në të kaluarën raste kur, për shembull, Bpifrance nga Franca dhe në atë kohë SVGM nga Portugalia (që sot quhen gjithashtu Bpifrance), janë kërkuar nga ministritë e tyre që të nxisin arsimin akademik. Pra, është thënë se nuk ka mjaftueshëm akademikë në Greqi, Francë dhe Portugali në atë kohë. Kështu, anëtarëve tanë iu është kërkuar të ofrojnë garanci për kredi studentore, të cilat dukshëm janë mjaft të rrezikshme. Pra, kjo mund të ndodhë për këto objektiva politikash. Pastaj, natyrisht, kjo ndodh edhe për sektorë të tërë. Kur fillova të punoja për AECM në vitin 2013, kishte shumë pak anëtarë që ofronin garanci në fushën e bujqësisë. Sot kemi 25 nga 50 që janë aktivë në bujqësi, dhe katër prej tyre madje ekskluzivisht për bujqësi dhe zhvillim rural”, tha ajo.
Sipas saj, këto skema luajnë rol të rëndësishëm edhe në stabilizimin e ekonomisë gjatë krizave.
“Dhe pastaj, natyrisht, ekziston ky mision, duke qenë se janë kundërciklike, për të stabilizuar të gjithë ekonominë. Kjo ndodh në kohë krizash, siç e pamë në mënyrë të theksuar gjatë pandemisë COVID-19. Ne mbledhim statistika nga anëtarët tanë dhe vëllimi i garancive aktive nga fundi i vitit 2019 deri në fund të vitit 2020 u trefishua. Pra, kjo ishte vërtet e jashtëzakonshme, me një rritje prej 200%”, tha ajo.
Ndërsa, drejtoresha në detyrë e Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, Efimija Dimovska, theksoi nevojën për harmonizim të rregulloreve dhe zgjerim të skemave ndërkufitare.
“Definitivisht, siç e kam theksuar disa herë sot, ne vërtet kemi nevojë të krijojmë këtë bashkëpunim dhe ndoshta në të ardhmen të harmonizojmë disa nga rregulloret, në mënyrë që të zgjerojmë skemat e garancisë ndërkufitare. Siç u përmend në diskutimet e mëparshme, nuk ka një përgjigje të qartë se cila është qasja më e mirë – nëse duhet të kemi garanci të udhëhequra nga tregu apo një qasje strategjike në shpërndarjen e tyre, sepse secili koncept zgjidh lloje të ndryshme problemesh”, tha ajo.
Ajo shtoi se zgjedhja e modelit varet nga niveli i rrezikut që është i gatshëm të marrë një vend.
“Dhe padyshim që kjo varet nga vendi apo nga qeveria se cilat kompromise duhet të bëjë, ose siç pëlqen të thotë një koleg imi, cili është niveli i pranueshmërisë së rrezikut që duhet të pranojë qeveria apo vendi.Kur kemi skema garancie të udhëhequra nga tregu, kjo do të thotë se ato bazohen në idenë për të korrigjuar dështimet e tregut, si asimetria e informacionit, mungesa e informacionit apo mungesa e kolateralit, dhe më pas i lihet tregut të vendosë se ku do të shkojnë fondet. Përvoja tregon se kjo qasje është përgjithësisht efikase, e qëndrueshme, me kosto të ulët operacionale dhe me portofol të diversifikuar, pa rrezik të përqendrimit në sektorë të caktuar me rrezik të lartë”, tha ajo.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se tregu shpesh lë jashtë sektorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.
“Por, nga ana tjetër, në fund rezulton se tregu nënfinancon disa sektorë më të rrezikshëm apo segmente të caktuara të ndërmarrjeve, si startup-et, kompanitë inovative apo ato në faza të hershme, të cilat megjithatë janë të rëndësishme për ekonominë”, tha ajo.
