Ministria e Shëndetësisë (MSh) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë OBSh dhe UNICEF, po shënojnë Javën e Imunizimit, duke ritheksuar përkushtimin e tyre të përbashkët për mbrojtjen e shëndetit të popullatës përmes vaksinimit të sigurt, cilësor dhe efektiv.
Motoja e këtij viti, “Vaksinat mbrojnë në çdo moshë”, thekson rëndësinë jetike të imunizimit gjatë gjithë jetës – nga fëmijëria e hershme deri në moshën e rritur. Vaksinimi mbetet një nga ndërhyrjet më efektive në shëndetin publik, duke parandaluar sëmundje të rënda, komplikime dhe vdekje, si dhe duke kontribuar në mbrojtjen kolektive përmes rritjes së imunitetit në komunitet.
Gjatë vitit të fundit, programi i vaksinimit në Kosovë ka shënuar përmirësim në vaksinimin bazë ( 0-1 vjeç), me rritje të dukshme krahasuar me vitet paraprake. Ky progres dëshmon besimin e rritur të qytetarëve në sistemin shëndetësor dhe përkushtimin e institucioneve në ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe të qasshme të imunizimit.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia thekson rëndësinë e vazhdimit të këtij trendi pozitiv.
“Vaksinimi është një investim i drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve dhe në të ardhmen e vendit tonë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë sistemin e imunizimit, duke siguruar që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë dhe të sigurt në vaksina cilësore”.
Nga viti 2024, programi i imunizimit në Kosovë ka shënuar përparime të rëndësishme, përfshirë integrimin e suksesshëm të tri vaksinave të reja në kalendarin e rregullt të vaksinimit, duke forcuar mbrojtjen ndaj sëmundjeve të parandalueshme dhe shëndetin publik.
Një zhvillim i veçantë është zgjerimi i vaksinimit kundër HPV-së (Human Papilloma Virus), tashmë edhe për djemtë si dhe rritja e kufirit të moshës për vaksinim deri në 26 vjeç, në përputhje me evidencën shkencore dhe praktikat ndërkombëtare, me qëllim uljen e rrezikut nga kanceret e lidhura me HPV.
Megjithatë, sfidë mbetet rënia e mbulueshmërisë me vaksinën MMR (fruthi, shytat dhe rubella), e cila rrit rrezikun për shpërthime të sëmundjeve të parandalueshme. Institucionet janë të angazhuara në mënyrë të vazhdueshme në terren, duke bashkëpunuar me profesionistë shëndetësorë, prindër, mësimdhënës dhe qytetarë për të forcuar besimin në vaksinim dhe për të theksuar rëndësinë e vaksinimit me MMR.
Drejtoresha ekzekutive e IKShPK-së, Ardita Baraku bën thirrje për mobilizim të përbashkët.
“Çdo dozë e papërfunduar rrit rrezikun për rikthimin e sëmundjeve që mund të parandalohen me vaksinë, ndaj është shumë e rëndësishme që prindërit dhe komuniteti të bazohen në informacione të sakta dhe të sigurojnë vaksinimin në kohën e duhur të fëmijëve të tyre. Prandaj, i ftojmë prindërit, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët që të informohen nga burime të besueshme dhe të shfrytëzojnë shërbimet e vaksinimit, duke ndihmuar në mbrojtjen e shëndetit të tyre, familjeve dhe komunitetit në tërësi”.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK shprehin falënderim dhe mirënjohje për UNICEF dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të çmuar në programin e vaksinimit.
Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë Veronika Vashchenko thekson se:
“Për të mbyllur boshllëqet me vaksinim, është thelbësore të arrihen fëmijët e pavaksinuar dhe ata me vaksinim jo të plotë. Së bashku me IKShPK-në, UNICEF-i është duke zbatuar një fushatë të vaksinimit plotësues për të vaksinuar 1,000 fëmijë të cilët mbeten të cenueshëm ndaj sëmundjeve ngjitëse si pasojë e mosvaksinimit të rregullt në Kosovë,” tha, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë”.
Ndërsa Shefja e zyrës së OBSH-së në Kosovë Isme Humolli nënvizon:
“Gjatë 50 viteve të fundit, falë vaksinimit, miliona jetë janë shpëtuar duke ndikuar drejtpërdrejt në rënie prej 40% të vdekshmërisë së foshnjeve në mbarë botën. Ky progres i jashtëzakonshëm dëshmon fuqinë e vaksinimit për të mbrojtur jetë dhe ndërtuar shoqëri më të shëndetshme. Për t’i mbajtur këto arritje, për të forcuar sigurinë shëndetësore, për të garantuar të ardhme të shëndetshme dhe më të sigurt për brezat e sotëm dhe të nesërm, vaksinimi duhet të mbetet prioritet kyç i shëndetit publik”.
Vaksinat shpëtojnë jetë. Imunizimi është përgjegjësi e përbashkët.
Së bashku për një të ardhme më të shëndetshme.