Ani pse afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po i afrohet fundit, përgjegjësia për bllokadën politike po bartet nga opozita te pushteti dhe anasjelltas.
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, nuk i ka kursyer kritikat as për pushtetin dhe as për opozitën, duke theksuar se kjo e fundit po i jep argumente kryeministrit Albin Kurti për fushatën zgjedhore.
Molliqaj për Ekonomia Online vlerëson se situata aktuale është produkt i veprimeve të partive politike dhe mënyrës se si janë zhvilluar negociatat.
“Nuk e di a jemi duke shku në zgjedhje sepse nuk mund të llogaris në qëndrimet e partive të tjera, besoj që vendi është dashur që nga fillimi të shkoj në zgjedhje. Nuk është dashur fare opozita të ketë takime dhe normalizim të pozicionit të Kurtit. Me këto takime, opozita vetëm se e ka normalizuar Kurtin në këtë proces dhe i ka dhënë atij argumente për fushatën zgjedhore. Edhe ndalja e hershme, sikurse fillimi që ishte gabim, është po ashtu i paarsyeshëm sepse nëse ke negociuar 53 ditë, pse nuk negocion 60 ditë? Në këtë kuptim, besoj që qartazi këta i kanë shërbyer Kurtit, ndërsa Kurti i ka shërbyer vetes”, tha ai.
Duke komentuar ofertat e bëra nga kryeministri për opozitën, Molliqaj thotë se kërksat që i kanë këta fundit janë më të mëdha sesa ofertat që Kurti i bën për ta.
“Ofertat konfirmuan edhe njëherë qëndrimin e Partisë Socialdemokrate, që nuk kemi të bëjmë me refuzim të opozitës për pjesëmarrje në qeverisje, por moskënaqësi e kërkesës së mjaftueshme të opozitës për pjesëmarrje në qeverisje. Pra, ne vazhdimisht kemi thënë që nuk po ndodh koalicion qeverisës, nuk po ndodh zgjedhje e presidentit për shkak se kërkesat që i ka opozita janë më të mëdha sesa ofertat që Kurti i bën për ta. Ky është gabimi më i madh, sepse në vazhdimësi Kurti do ta shpërfaqë një opozitë e cila nuk ka asnjë ide, nuk ka asnjë parim edhe nuk ka asnjë qëndrim të cilit i rri karshi, që ta mundësojë me u duk që janë opozitë. Pra, në vazhdimësi kjo është mënyra e Kurtit për të shpërfaqur, si me thënë, opozitën jo të qëndrueshme që ka Kosova”, u shpreh Molliqaj.
Sa i përket mundësisë së një marrëveshjeje me kryeministrin, ai thekson se PSD-ja ka një qëndrim të prerë kundër bashkëpunimit me atë që e cilëson si qeverisje jodemokratike.
“Ne mbajmë një qëndrim krejt tjetër. Me një lider ose një parti që e quajmë jodemokrat dhe autoritar, as nuk ke çka negocion, e as nuk ke çka e takon, sepse nuk mund të ndërtosh bashkëpunim me autoritarët. Mund të ndërtosh bashkëpunim me kundërshtarët, sepse kundërshtar je për çështje, je për shkak të historisë dhe për momente të caktuara mund të gjesh zgjidhje. Autoritarët dhe jodemokratët nuk mund të ken kurrfarë bashkëpunimi, aty ka veç nënshtrim. Por opozita nuk e ka hallin te nënshtrimi, opozita e ka hallin te sasia e ofertës që po e merr nga Kurti, ndërsa prej vështrimit të Kurtit kjo duket bujare. Po në fund, ajo çka mundem me thënë është që procesi i negocimit në mes të qeverisë dhe opozitës i ka shërbyer kryeministrit Kurti me u duk që nuk është një person autoritar i cili nuk don me i kap të gjitha institucionet, i cili bën oferta për kandidat konsensual, i cili e jep kryetarin e kuvendit e të ngjashme”, thotë ai.
Molliqaj thekson se zgjidhja nuk është përmes zgjedhjes së presidentit, duke shtuar se këtu është problem politik e që sipas tij emri i këtij problemi është Albin Kurti.
“Unë besoj që ne si Parti Socialdemokrate nuk e shohim që zgjidhja është përmes zgjedhjes së presidentit. Këtu është problem politik, emri i këtij problemi politik është Albin Kurti, e mundësimin për mos me u duk problem po ia mundëson opozita aktuale që është në Kuvend. Duhet të adresohet çështja politikisht te populli i Kosovës. Duhet populli i Kosovës të kuptojë që me Albin Kurtin dhe qeverisjen e tij, dhe me këtë opozitë që ka ai, nuk ka vendi hapësirë për qeverisje demokratike, nuk ka mundësi për stabilitet. Sepse në dokumentin e tij mbi organizimin e ka të shkruar dhe të cituar Kurti: ‘na duhet gjendje e jashtëzakonshme për ta fituar pushtetin dhe na duhet gjendje e jashtëzakonshme për ta mbajtur pushtetin’. Kështu që ai është vetëm duke e zbatuar atë që ai beson se si duhet mbajtur pushteti i tij”, potencon ai.
Duke folur për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, ai kritikon qasjen e opozitës në raport me negociatat.
Madje, thotë se opozita për bindjen e tij nuk ak kurrfarë orientimi ideologjik e politik.
“Për mua problemi në këtë pikë është opozita, e cila në të njëjtën kohë i hapi negociatat me Kurtin, hyri në vallen e Kurtit, tani ndërpreu njëanshëm negociatat me Kurtin dhe tha po ashtu që pas zgjedhjeve prapë do të negociojmë me Kurtin. Pse mos me negociu tash? Pra, nëse çështja është që duhet me negociu pas zgjedhjeve, pse jo tash? Apo ti po mendon që do të rritet hisja? E çka nëse nuk rritet hisja? Çka nëse të zvogëlohet hisja jote në kuptimin e votës së ardhshme? Prandaj është absurde politika e opozitës. Opozita për bindjen time nuk ka kurrfarë orientimi ideologjik e politik, është e orientuar krejtësisht ndaj interesave të ngushta potenciale të pushtetit, të cilat Kurti i ka kuptuar shumë mirë dhe për shkak se i ka kuptuar shumë mirë edhe po i manipulon”, thotë ai.
Molliqaj gjithashtu kundërshton pjesëmarrjen e opozitës në procesin e zgjedhjes së presidentit në këtë fazë, duke shtuar se kjo vetëm sa e ka forcuar pozicionin e Albin Kurtit.
“Opozita nuk është dashur me marrë fare pjesë në procesin e presidentit. Pastaj pjesëmarrja e saj në këtë proces, edhe njëherë po e përsëris, vetëm sa e ka forcuar pozicionin e Albin Kurtit. Dhe ndërprerja e njëanshme e opozitës kishte me pasë vetëm në një kuptim vlerë: nëse këta thonë që edhe pas zgjedhjeve nuk negociojmë me ty. Pse me shku në zgjedhje nëse keni me negociu me Kurtin edhe pas zgjedhjeve? Pozicioni i PSD-së është që nuk duhet të negociohet për këtë çështje, se çfarëdo presidenti t’i shërbejë Kurtit. Por nëse negocion tash, nuk negocion një javë, negocion pas dy muajve, përbesë nuk ka kurrfarë sinqeriteti edhe as kurrfarë, si me thënë, dobishmërie në këtë proces çka po bën opozita, përveç që po e bën Kurtin me u duk që ai është konstruktiv dhe këta janë destruktivë”, nënvizon ai.
Sipas tij, Kurti po dëshiron të qeveris përmes krizave, e këtë qeverisje sic thotë Molliqaj po ia mundëson opozita.
“Kurti është duke e bërë këtë sa për presion ndaj opozitës, po Kurti do të jetë i hapur edhe me bë një kandidat i cili është i pavarur sepse në fund të fundit i shërben atij. Po Kurti po don me qeveris përmes krizave, e këtë qeverisje po ia mundëson opozita duke u dukë që ai nuk po don krizë, ai po don zgjidhje. Pra, sot ne mundemi me thënë që partia në pushtet po ofron zgjidhje, po thotë ‘ama një emër’, dhe opozita hyri në proces dhe doli pa dhënë asnjë emër, përveç kërkesave për me i marrë presidentin për vete. Që ishte absurde sepse në një anë akuzonin Vetëvendosjen që po e don presidentin për vete (që ishte e qartë), këta hyjnë në negociata për me marrë presidentin për vete. Është absurditet i cili vetëm sa i ka shërbyer Kurtit dhe këtë do ta shohim edhe në zgjedhje”, u shpreh tutje ai.
Molliqaj ka komentuar edhe mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK, duke e lidhur këtë me interesa politike.
“Vjosa Osmani ka shkuar për interesa të ngushta të pushtetit të Albin Kurtit, u nda për arsye të pushtetit, po kthehet në LDK nëse kthehet për pushtet. Pra, nuk ka asgjë parimore, nuk ka asgjë politike. Po të ishte e vërtetë që Vjosa u nda politikisht me Albin Kurtin, do të ishte kundërshtare e Albin Kurtit gjatë kësaj periudhe dhe po ashtu do të bashkohej ditën që ka kryer mandatin në presidencë, do të bashkohej me LDK-në. Po një bashkim i tillë nuk po ndodh, sepse po ndodhin negociata për çështje të pushtetit. Lumiri po e don Vjosën për me ruajt pozicionin e vet, ndërsa Vjosa po e don LDK-në për me marrë vota, sepse nuk e kalon pragun si e vetme. Nuk ka kurrfarë optimizmi politik aty. Aty ka kalkulime për interesa të ngushta”, shtoi Molliqaj.
Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të zgjedhin presidentin deri më 28 prill.
Kjo pasi që më 25 mars Kushtetuesja rrëzoi dekretin e ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.
Sipas vendimit, pas shpërndarjes ‘ex constitutione’ (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.
“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në vendim të Kushtetueses.
