Tani që kanë mbetur edhe 3 ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e presidentit, partitë kanë intensifikuar deklarimet për këtë çështje.
Derisa të premten mbrëma, kryeministri Albin Kurti fajësoi opozitën për mos-zgjidhjen e çështjes, paraditen e së shtunës, ai doli me një propozim për partitë opozitare, duke u kërkuar atyre t’i propozojnë tre emra për president konsensual.
E kryetari i LDK-së tha se mund ta propozojë edhe ish-presidenten Vjosa Osmani edhe për një mandat.
Por, opinionisti Melazim Koci, në Info Magazine në Klan Kosova, tha se nuk beson që Lëvizja Vetëvendosje do ta pranojë propozimin e kreut të LDK-së.
“Po të donte, VV do ta bënte këtë më herët, kur u ulën për herë të parë me Abdixhikun. Nuk besoj se do ta pranojë LVV-ja propozimin e zotit Abdixhiku”, tha Koci.
Tutje, ai tha se Kosovës i nevojitet një emër jopartiak për president, dhe se, sipas tij, kjo është ditur që kur kanë dalë rezultatet e zgjedhjeve të fundit.
“Nuk besoj se Vetëvendosje do ta votojë zonjën Osmani. Nga momenti kur janë mbyllur vendvotimet dhe është ditur rezultati i zgjedhjeve, ka qenë e qartë se problemi mund të zgjidhet me një kandidat jopartiak. Është çështje tjetër që ky propozim vjen në çastin e fundit, me shumë vonesë. Në skenën tonë politike ka aq shumë mosbesim sa që është gati e pamundur që brenda 48 orëve të merresh vesh për kandidatin jopartiak”, shtoi Koci.
Sipas tij, kuorumi i kërkuar në Kuvend për çështjen e presidentit është “margaritar në Kushtetutën tonë”.
“Po të bëhej ky propozim qoftë nga opozita, qoftë nga VV, para 1-2 muajve, mendoj se kjo ka qenë zgjidhja. Sepse kuorumi këtë funksion ka, nuk është pengesë, kompromisi është pengesë. Kuorumi është margaritar në Kushtetutën tonë, sepse garanton baraspeshimin e pushteteve. Pra, jo një parti, në këtë rast LVV me 51% të marrë të gjitha pushtetet”, deklaroi opinionisti Melazim Koci.