Murati: Opozita refuzoi mbështetjen për qytetarët dhe ligjin për anëtarësim në SEPA

Prishtinë | 25 Pri 2026 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar opozitën se ka refuzuar të fusë në rend dite disa çështje që, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me mbështetjen për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se opozita nuk ka votuar për trajtimin e masave që prekin kategori të ndryshme shoqërore.

“Mbështetjen për punëtorët e sektorit privat, për studentët, për pensionistët, për fëmijët e për të gjitha familjet sot opozita refuzoi ta fuste në rend dite për seancë (për të cilën duhet votuar 2/3 e deputetëve prezentë)”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se, përveç kësaj, është refuzuar edhe shqyrtimi i një projektligji që lidhet me integrimin financiar ndërkombëtar.

“E për më tepër, opozita refuzuan edhe trajtimin e Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave, ligj i cili kompleton pakon e ligjeve të nevojshme për t’u anëtarësuar në SEPA”, ka shtuar Murati.

Sipas tij, përfitimet nga anëtarësimi në zonën e pagesave evropiane do të ishin të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset.

“Sipas studimit të German Economic Team, mbi 50 milionë euro në vit do të kurseheshin nga qytetaret dhe bizneset me anëtarësim në SEPA”, ka theksuar ai.

Murati ka krahasuar situatën me vendet e rajonit, duke thënë se ato tashmë kanë përfituar nga ky proces.

“Shtetet tjera në rajon tashmë kanë ecur përpara dhe qytetarët e bizneset e tyre tashmë paguajnë shumë më lirë për transfere bankare”, ka shtuar ai.

Të ngjashme