Besnik Berisha u zgjodh si kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave, raporton Ekonomia Online.
Me të gjitha votat për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Votimi u realizua në mënyrë të fshehtë dhe i propozuari nuk kishtë kundër kandidat.
Suada Dzogovic, anëtare KPM-së tha se me shtatë vota u zgjodh kryetari.
“Me 7 vota për u zgjodh kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Besnik Berisha, urime dhe suksese.”, tha Dzogovic.
Besnik Berisha, kryetar tashmë i KPM-së thekson se përgjegjësia e tij nuk është individuale, por kolektive, pasi puna dhe rezultatet e KPM-së varen drejtpërdrejt nga funksionimi i ekipit. Ai shpreh kënaqësi të veçantë që, pas një kohe të gjatë, Komisioni është formuar në përbërje të plotë me shtatë anëtarë, gjë që ka ndodhur rrallë në të kaluarën.
“Kjo është një detyrë për mua me përgjegjësi të lartë, mund të them. Puna e KPM-së nuk varet nga një individ; puna e KPM-së varet nga ekipi. Jam shumë i lumtur që pas një kohe kemi përbërjen e plotë të Komisionit të Pavarur të Mediave, pra jemi shtatë anëtarë, e cila duhet thënë nuk ka ndodhur shpesh. Unë e kam pasur një mandat pesëvjeçar në KPM dhe shtatë anëtarë kemi qenë, nëse nuk gaboj, vetëm dy muaj e gjysmë sa kam qenë unë në atë përbërje. Tash jam shumë i lumtur që jemi bërë një komision i plotë, por më shumë i lumtur jam për përfaqësimin që kemi këtu, shumë dinjitoz besoj. Kjo është një begati për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe unë besoj që rezultatet do të dalin nga puna jonë ekipore. Asnjë individ nuk mundet vetëm me shfaqë rezultate që kanë ndikim po qe se nuk është ekipi. Puna jonë do të koordinohet, besoj, mirë “, tha Berisha.
Anëtarja e Komisioni i Pavarur i Mediave, Luljeta Aliu Krasniqi i ka bërë thirrje mediave dhe publikut që të mos e neglizhojnë rëndësinë e Ligjit të KPM-së dhe kompetencat që ky institucion ka, duke theksuar se transparenca është një nga të drejtat dhe obligimet themelore të Komisionit. Ajo sqaron se KPM është e obliguar ligjërisht të ofrojë qasje në dokumente, vendime dhe informacione, por vetëm nëse këto kërkohen zyrtarisht nga mediat.
“Vetëm shkurtimisht deshta për këtë mandatin e dytë t’i lus edhe mediat të cilat tani janë këtu edhe publikun në përgjithësi që të mos… mos neglizhojnë rëndësinë e ligjit të KPM-së edhe të drejtat të cilat i ka sipas ligjit të KPM-së. Ndër të drejtat bazu ligjit të KPM-së është transparenca. Domethënë ne si komision jemi të obliguar që të jemi transparentë ndaj kërkesave të mediave, që nënkupton se për çdo çështje, për çdo vendim, për çdo çështje, për çdo pyetje mund të drejtoheni te ne me kërkesë për qasje në dokumente, jo vetëm në vendime mirëpo edhe në të gjitha çështjet tjera, mirëpo kjo duhet të vijë si kërkesë. Gjithashtu kjo është edhe një lutje natyrisht që kur të keni ndonjë dyshim kritik, pa marrë parasysh që kritikat siç i tha kryetari të mos jenë të njëanshme, por të merret i gjithë informacioni i cili është në dispozicion, ose nuk është. Do të thotë edhe kur keni ndonjë çështje të paqartë, ndonjë kritikë, ndonjë vërejtje, thjesht drejtohuni te ne, ne kemi obligim me ju ofru të gjithë dokumentacionin. Ndryshe, nëse nuk kërkohet dokumentacioni atëherë edhe ne si komision na lëni paksa të palumtur me bashkëpunimin që ne e kemi me ju sikurse shpeshherë i dëgjojmë kritikat e bashkëpunimit që ju e ndjeni sikurse ne nuk jemi bashkëpunues, ndërsa nëse nuk vijnë kërkesat atëherë edhe formulohen kritika edhe ngritet zëri mirëpo pa një bazë me të cilën mund të thirreni meqë e keni vetëm një anë të stories, vetëm një anë të tregimit atëherë edhe bashkëpunimi çalon. Edhe kjo pastaj nuk është e mirëfilltë, nuk është faji, nuk është obligimi ynë, nuk është obligimi ynë ne t’ju dërgojmë juve për ato çështje dokumentet nëse nuk i kërkoni”, tha ajo.

