LDK akuzon Komunën e Gjilanit se shpenzoi 50 mijë euro për dreka e darka, Isufi: Mund të jenë përmbarime

Prishtinë | 08 Maj 2026 | 19:59 | Nga Ekonomia Online

Gentrit Murseli, këshilltar komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, ka pretenduar se Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Gjilanit ka shpenzuar mbi 50 mijë euro në dreka dhe darka.

Për këtë çështje, gazetarja e Klan Kosova, Altiana Zogaj ka kontaktuar drejtorin e këtij dikasteri, Bajram Isufi, i cili ka mohuar të jenë shpenzuar nga dikasteri i tij të hollat.

“Nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë nuk kemi pagesa të tilla për hotele. Unë si drejtor nuk kam has në fatura dhe nuk kam të nënshkruara asnjëherë”, deklaroi Isufi.

Ai shtoi se këto shpenzime mund të kenë qenë subjekt i përmbarimit, por të shpenzuara nga të tjerë.

“Është e mundur nga përmbaruesit. Ndërsa ne si Drejtori nuk kemi shpenzime të tilla”, potencoi drejtori i Bujqësisë.

Murseli, nga ana e tij, tha se kryetari Alban Hyseni, bashkë me stafin e tij, kanë shpenzuar në një hotel në Gjilan më tepër se 50 mijë euro, pagesa këto që, sipas tij, janë ekzekutuar nga Drejtoria e Bujqësisë.

“Skandali thellohet edhe më tepër kur e kuptojmë se për herë të parë pas shumë kohësh, Drejtoria e Bujqësisë nuk do t’i subvencionojë bujqit e fermerët e Gjilanit për mbjellje pranverore dhe mekanizmin bujqësor, me arsyetimin se kjo drejtori ka mbetur pa mjete”, deklaroi asamblisti i LDK-së në Gjilan, Gentrit Murseli.

Ai tha se për këto do të kërkojë llogari në seancën e radhës të KK të Gjilanit nga kryetari Hyseni. 

Të ngjashme