Shoqata “Konsumatori”: Pezullimi i vajit të palmës e qumështit pluhur është populizëm

Prishtinë | 11 Maj 2026 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Shoqata “Konsumatori” ka kritikuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë për pezullimin e përdorimit të vajit të palmës dhe qumështit pluhur në sektorin e qumështit, duke e cilësuar atë si populizëm dhe politizim, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Ekonomia Online tha se institucionet në Kosovë prej vitesh nuk kanë ndërmarrë politika reale në mbrojtje të konsumatorit.

“Shikoni, nëse ne jemi familjarizuar me këto probleme, domethënë nuk është koha për ngritje të shqetësimeve. Nëse duhet të ngriten shqetësime, duhet të ngriten shqetësime ndaj qeverisë, të të gjitha legjislaturave, të cilat nuk kanë bërë të duhurën. Ajo që do duhej të bëhej dhe që u trumbetua duke u shtuar se e kanë bërë për mbrojtjen e konsumatorit, duhet korrigjuar. Nuk është mirë të na hedhin pluhur syve, nëse ne e dimë që asnjë legjislaturë qeveritare nuk e ka njohur dhe akoma nuk e njeh shtetin konsumator, aq më pak si qytetar konsumator taksapagues, gjenerues kryesor i buxhetit të shtetit”, tha ai.

Kaçaniku kritikoi Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke thënë se kanë vepruar në kundërshtim me interesat e konsumatorëve.

“Ministria e Bujqësisë e ka bërë të kundërtën. E ka heq një bord, bordin e AVUK-ut, i cili i vetmi ka pas brenda saj, brenda tij, përfaqësues të shoqërisë civile. Dhe si t’i besojmë ne Ministrisë së Bujqësisë nëse bën diçka për ne, nëse është dëshmuar se ka bërë të kundërtën për ne? Ose, si t’i besojmë MINT-it (Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë), i cili nuk e kupton që komponenta kryesore socio-ekonomike është konsumi, është nevoja, është kërkesa, është tregu, është transaksioni, pra është konsumatori. Përkundër faktit që e ka departamentin e mbrojtjes së konsumatorit, MINT-i bën kesi fiskultura ndërsa harron që departamenti duhet të ngritet të paktën në nivel të drejtorisë para se ta bëjë ministri. Sepse po del që konsumatori është para tregtisë dhe para industrisë”, tha ai.

Ai tha se mungesa e diplomacisë ekonomike dhe konsolidimit të tregut ka ndikuar në rritjen e çmimeve dhe importimin e inflacionit.

“Ajo që do duhej të bënte MINT-i është që ta konsolidojë tregun. Po të kishim ne treg, e do duhej të kishim treg masi kemi Ministri të Tregtisë, tregu do të vepronte si rregullator çmimesh dhe si rregullator furnizimesh. Erdhëm te furnizimi. Kam thënë, po e them me lejen tuaj po e përsëris, se ne nuk kemi diplomaci ekonomike. Kështu më popullore, që gjithmonë jam angazhuar, kam thënë se ne me asnjë shtet me të cilin kemi raporte të mira tregtare atje nuk kemi asnjë përfaqësues tregtar, konsull të tregtisë ose konsull komercial siç quhen ndryshe”, tha ai.

“Domethënë ne importojmë çdo gjë, importojmë edhe çmimet e fryra, importojmë edhe inflacionin e shkallës së lartë sepse edhe kësaj qeverie si qeverive të mëparshme i konvenojnë çmimet e fryra artificialisht sepse kemi buxhet konsumues. Buxheti konsumues gjenerohet nga xhepat e qytetarëve konsumatorë, nga xhepat tanë, dhe ne për të njëjtin produkt në shumë raste i paguajmë nga disa lloje tatimesh dhe të njëjtin lloj tatimi disa herë. Domethënë jemi skajshmërisht të eksplatuar, ndërsa këta trumbetojnë sa po e bëjnë për ne. Nuk po e bëjnë për ne”, tha ai.

Kaçaniku tha se AUV-i mbetet një nga mekanizmat më të besueshëm për sigurinë ushqimore në vend.

“Nëse jemi të pasigurtë, prej hapave që do duhej ta bënte Ministria e Tregtisë dhe Ministria e Bujqësisë së bashku me qeverinë, do duhej ta anulojnë AVUK-un. Ndërsa AVUK-u është një prej agjencioneve më të sigurta, jo vetëm në Kosovë po ndoshta edhe në gadishullin Ilirik. Domethënë, ne nuk duhet t’i kthejmë vetes pyetje. AVUK-u, AVUK-u neve na garanton ushqime të sigurta. Sa janë të sigurta? Nëse ata obligohen ta monitorojnë vetëm një përqind e gjysmë të produkteve, ajo mbetet ta shikojmë ne. Pjesa tjetër e nëntëdhjetë e tetë përqind e gjysmë na mbetet neve si qytetarë konsumatorë duke bashkëpunuar me mekanizmat e kontrollit të tregut”, tha ai.

Ai foli edhe për përdorimin e qumështit pluhur dhe deklarimin e tij në produkte ushqimore.

“Sa janë të sigurta tjetra? Ligjërisht, qumështi pluhur nuk është i ndaluar. Qumështi pluhur obligohet të deklarohet nëse përdoret mbi dy përqind e gjysmë. Kjo është e gjithë filozofia. Pra, për mua si konsumator është i njëjti abuzim, abuzim i njëjtë sikur ta përdorin qumështin pluhur mbi dy përqind e gjysmë e mos ta deklarojnë, ose si ta përdorin qumështin si tepricë teknologjike gjatë prodhimit të djathit, të ajkës, të kosit, të jogurtit, të dhallës ose të ajranit. Është e njëjta gjë, por dikush fshihet prapa vajit të palmës, për shembull po harron se ja kanë ndihmu’ prodhimit të vet me ujë”, tha ai.

Duke komentuar vendimin e Ministrisë së Bujqësisë për pezullimin e vajit të palmës dhe qumështit pluhur, ai tha se institucionet nuk kanë konsultuar konsumatorët.

“Nuk është me vend, është populizëm dhe është politizim, nuk është politikë. Prapë po kthehem, nëse ata thonë se e kanë bërë për mbrojtjen e konsumatorit, paraprakisht do duhej ta bënin një konsultim me ne. T’i dëgjonin vuajtjet tona, ankesat tona, kërkesat tona, shijet tona. Kjo nuk është bërë kurrë nga asnjë legjislaturë qeveritare. Ne i shërbejmë qeverisë si një mi eksperimental ose si një xhep rezervë ku ata do të marrin paratë sa kanë nevojë”, tha ai.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, të dielën bëri të ditur se është pezulluar përdorimi i vajit të palmës dhe qumështit pluhur, pasi sipas tij ekzistojnë dyshime se po përdoren gjatë prodhimit të qumështit.

Ai tha se sektori i qumështit në Kosovë po përballet me presione të jashtme dhe ngriti dyshime për zëvendësimin e yndyrave shtazore me yndyra bimore dhe qumësht pluhur.

Fermerët në Drenas, Skenderaj dhe Lipjan, në shenjë pakënaqësie me çmimin, një ditë më parë derdhën qumështin në lumë.

Muja tha se është njoftuar nga shoqatat për presionin që po ushtrohet për shkak të importeve, ndërsa shtoi se janë ndërmarrë kontrolle në kufi dhe në tregun e brendshëm.

“Ajo çfarë unë dëshiroj të theksoj është që qëllimi i këtyre masave është ndërtimi i një sistemi të sigurt për ushqimin e qytetarëve të Kosovës. Siguria e ushqimit është qëllimi madhor. Së dyti, ne kemi edhe rregulla sa i përket mbrojtjes së konsumatorit”, tha Muja.

Të ngjashme