Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitarja e mbrojtjes së Hashim Thaçit, ekspertja Helen Fraser në gjykimin në të cilin Thaçi akuzohet së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Fraser tha se ka përdorur Inteligjencën Artificiale gjatë punës së saj për raportin lidhur me interpretimin e tingujve të tranksriptave të Prokurorisë, por që vlerësimi i saj ka qenë i hollësishëm.
Megjithatë, Fraser tha e nuk mendon që është mbështetur tërësisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nuk mendoj që jam mbështetur tërësisht në ato. Mendoj që e kam mbështetur në vlerësimin tim të bërë për këto materiale dhe transkriptimi i Inteligjencës Artificiale ka qenë pjesë e saj, por nuk ka qenë e tëra kjo”, tha Fraser.
Prokurori Joshua Hafetz tha se në raportin e saj, përkatësisht në pjesët e audiove forenzike, ekspertja i ka dhënë përshtypjet e saj si një person që nuk flet gjuhën shqipe por me ChatGPT.
Prokurori i përsëriti ekspertes se në raportin e saj janë përshtypjet e saj si një person që nuk e flet gjuhën shqipe dhe ka përdorur ChatGPT.
“Po hezitoj sepse fjala përshtypje tingëllon pak si e lehtë dhe mendoj që ka qenë një vlerësim më i hollësishëm se kaq. Nuk mendoj se ka qenë përshtypje”, tha ajo.
Përveç kësaj, ekspertja tha se po përpiqet që ta bëjë të qartë se vlerësimin e saj nuk e ka bërë duke u mbështetur në ChatGPT.
“Ajo që po përpiqem që të bëjë këtu është që ta bëjë të qartë që nuk jam mbështetur tërësisht në ChatGPT, por kam rishikuar audion me ekspertizën time audio-forenzike dhe në transkriptimet forenzike”, tha dëshmitarja.
Madje, sipas asaj që përmblodhi prokurori e që e pranoi edhe dëshmitarja, ishte se vlerësimi i saj i cilësisë së audiove në tetë segmentet që i ka pasur në dispozicion, ishte i kufizuar për shkak të faktit që ajo nuk fliste shqip.
Pas kësaj, prokurori pyeti se a pajtohet ekspertja që në një situatë ideale, cilësia e audios do të vlerësohej me ndihmën e një folësi shqip.
“Po, kështu është – i cili person do të dëgjonte në mënyrë të pavarur secilën prej audiove”, tha ekspertja.
Për shkak të mungesës së një folësi të gjuhës shqipe, ekspertja tha se ka përdorur program të Inteligjencës Artificiale.
Megjithatë, ajo tha se është eksperte në këtë fushë dhe se mund të kishte bërë punën e saj edhe pa transkriptimin e ChatGPT-së.