U bë shkak për shuplakën Macron? Kush është Golshifteh Farahani, aktorja iraniane që komplimentoi presidenti francez

Prishtinë | 13 Maj 2026 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Personi i tretë dhe misterioz që thuhet se qëndron pas shuplakës së famshme të Brigitte Macron ndaj Emmanuel Macron, sipas mediave franceze, është aktorja iraniane Golshifteh Farahani.

Sipas gazetarit politik të revistës Paris Match, Florian Tardif, në librin e tij me titull “Një çift (pothuajse) perfekt”, mesazhet që Brigitte Macron pa në telefonin e bashkëshortit të saj dhe që shkaktuan tension mes çiftit, përmbanin komente për aktoren, ku thuhej se ajo “është shumë e bukur”.

Tardif pretendon gjithashtu se presidenti francez kishte zhvilluar një “simpati platonike” ndaj aktores për disa muaj.

“Kjo më është konfirmuar vazhdimisht. Mesazhet krijuan tensione që përfunduan duke e kthyer një debat privat në çështje publike. Në një moment u krijua përshtypja se gjithçka ishte një keqkuptim, madje një keqkuptim serioz, që kishte marrë fund. Por nuk ndodhi kështu”, shprehet gazetari i Paris Match.

Kush është Golshifteh Farahani?

Aktorja iraniane Golshifteh Farahani është emri që ka rikthyer vëmendjen mediatike mbi jetën private të Emmanuel Macron. E njohur jo vetëm për talentin artistik, por edhe për qëndrimet e saj të forta politike dhe sociale, Farahani ka kritikuar shpesh regjimin iranian për kufizimet ndaj grave dhe mungesën e lirisë artistike.

Golshifteh Farahani lindi dhe u rrit në Teheran. Babai i saj, Behzad Farahani, ishte regjisor dhe aktor teatri, ndërsa nëna e saj, Fahimeh Rahiminia, aktore teatri. Edhe motra e saj, Shaghayegh Farahani, është aktore.

Që në moshë shumë të vogël tregoi prirje për artin. Vetëm 5 vjeçe nisi të merrej me piano, ndërsa më vonë u fokusua te aktrimi, duke fituar eksperiencë që në adoleshencë.

Emri “Golshifteh” u krijua nga i ati dhe do të thotë “lulja që dashuron”, ndërsa emri i saj zyrtar është Rahavard, që përkthehet si “dhuratë e rrugës”.

Karriera e saj mori hov në vitin 1998, kur ishte vetëm 14 vjeç. Ajo u përzgjodh për rolin kryesor në dramën romantike iraniane “The Pear Tree”. Filmi u vlerësua shumë si në Iran ashtu edhe ndërkombëtarisht, duke e bërë Farahanin një emër të njohur dhe duke i hapur rrugën roleve të tjera protagoniste në filma si “Two Angels”, “The Fish Fall in Love” dhe “The Music Man”.

Në vitin 2008, Farahani hyri në tregun amerikan të kinemasë. Ajo interpretoi përkrah Leonardo DiCaprio dhe Russell Crowe në filmin aksion-thriller “Body of Lies”, duke fituar menjëherë vëmendjen e publikut dhe kritikës si një nga aktoret më premtuese me origjinë iraniane.

Të ngjashme