Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka organizuar festën e Abetares për fëmijët e klasave të para, raporton Ekonomia Online.
Në këtë festë përpos fëmijëve nga Kosova, morën pjesë edhe fëmijë nga disa vende fqinje.
Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci ka përgëzuar fëmijët për festën e Abetares, duke thënë se këta të fundit po hedhin një hap drejt të ardhmes së ndritur.
“Sot ju nuk jeni më vetëm dëgjues, por edhe lexues të vegjël që po hidhni një hap të madh drejt të ardhmes së ndritur. Kjo nuk është thjesht një festë që përfaqëson rrugëtimin tuaj, por është një moment kur ju fëmijë, e ndjeni veten fitimtarë, sepse të tillë jeni.
A e dini pse fëmijë të dashur? Sepse ju jeni tani të gatshëm të krijoni fjalë e fjali me shkronjat që tashmë keni mësuar. E këto shkronja do të jenë e ardhmja juaj që do t’ju mundësojë të arrini atje ku dëshironi e ëndërroni. Dikush ëndërron të jetë në të ardhmen mësues, artist apo sportist, dikush ushtar apo polic, infermier apo programer, profesor apo doktor, arkitekt apo poet e deri tek kryeministër apo president i vendit.
Ju jeni… ju jeni e sotmja dhe e ardhmja jonë, sepse ju do ta bëni vendin tonë edhe më të mirë sesa që e kemi arritur ne deri më tash. Prandaj të dashur fëmijë, mos ndalni së lexuari e mësuari e së ëndërruari për të ardhmen, sepse një ditë ju do t’i bëni krenarë jo vetëm prindërit e mësuesit, por një komb e një vend të tërë”, tha Peci
Avni Rexha nga Ministria e Arsimit ka treguar se në këtë ceremoni që nga fillimi janë përfshirë edhe trevat shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Kosovës, si Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Lugina e Preshevës.
Sipas tij, këtëa të fundit nuk janë prezent për shkak që nuk kanë mundur të marrin leje për ta kaluar kufirin.
“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka 14 vite me radhë që organizon këtë lloj manifestimi. E kemi filluar në vitin 2012, në rastin e përvjetorit, në rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ku në atë rast kemi hapur, pra, promovuar edhe Abetaren e parë të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë manifestim, që nga fillimi, janë përfshirë edhe trevat shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Kosovës, si Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Lugina e Preshevës. Ne sot këtu kemi nxënës nga Republika e Shqipërisë, kemi nxënës nga Republika e Maqedonisë, dhe përfaqësues të tyre zyrtarë të këtyre institucioneve, të cilët i falënderoj shumë për pjesëmarrjen e tyre në këtë manifestim. Vlen të përmendet, për fat të keq, sot kanë qenë të ftuar edhe përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës, mirëpo nuk kanë mundur marrjen e lejes për të ardhur, të kaluar kufirin për të ardhur në Kosovë. Edhe atyre iu urojmë festën e Abetares”, tha Rexha.
Shkelqim Akllaj, përfaqësues nga Ministria e Arsimit në Shqipëri tha se festa e abetares është shumë e rëndësishme për kombin tonë shqiptar.
“Por për ne shqiptarët, festa e Abetares dhe festa e mësimit të gjuhës shqipe, ashtu siç ka qenë shumë vite më parë, shumë breza më parë, është po aq e rëndësishme dhe po aq adekuate edhe sot në ditët tona. Akoma edhe sot ka njerëz të cilët kanë marrë lapsin për të shkruar, herë pas here nxjerrin kokën për ta ulur dhe për ta minimizuar këtë gjuhë, kaq të vjetër, kaq të lartë, sa vetë historia e kombit tonë shqiptar. Dhe kjo festë simbolike, unë nuk do ta quaja thjesht një takim, apo një promovim të thjeshtë të Abetares. Fakti që kjo festë këtë radhë bëhet në një vit jubilar dhe kjo i dedikohet dy popujve, kombit shqiptar—Kosovës dhe Shqipërisë—fakti që Kosova është prezent me Abetaren e saj unike dhe Shqipëria me Abetaren e saj unike, tregon se Abetarja, ashtu siç ka qenë shumë vite më parë, shumë breza më parë, është po aq e rëndësishme dhe po aq adekuate edhe sot në ditët tona. Dhe fakti që sot jemi këtu dhe festojmë së bashku gjuhën shqipe, nga të gjitha trevat e kombit tonë shqiptar, ashtu siç Shqipëria është e pranishme, unë besoj se është edhe një arsye tjetër që na bën të ndjehemi krenarë, që të jemi bashkë dhe të prekim nga afër vlerat e kombit tonë shqiptar”, tha Akllaj.



