Bashkëpunimi ndërkufitar, MAPL prezanton sukseset e IPA II dhe nisjen e fazës së re IPA III

Prishtinë | 22 Maj 2026 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka prezantuar skemën e granteve dhe projektet e mbështetura në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar, raporton Ekonomia Online.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka shprehur mirënjohje për Bashkimin Evropian për siç ka thënë ai mbështetjen e  vazhdueshme që ka bërë ndaj institucioneve të vendit.

Krasniqi, ka folur për bashkëpunimin ndërkufitar në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut duke thënë se ka sjellë rezultatet të rëndësishme për qytetarët në të dyja anët e kufirit.

“Bashkëpunimi ndërkufitar në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut gjatë viteve të fundit ka sjellë rezultatet të rëndësishme për qytetarët dhe komunitetet në të dyja anët e kufirit. Në kuadër të programit IPA II janë zbatuar gjithsej 18 projekte në vlerë totale prej 8 milionë të cilat kanë kontribuuar në zhvillimin social ekonomik dhe mjedisor. Përmes këtyre projekteve janë realizuar investime dhe iniciativa që kanë ndihmuar në përmirësimin e infrastrukturës publike dhe mjedisore në mbrojtjen nga vërshimet dhe menaxhimin e ujërave, trajtimin e mbeturinave dhe promovimin e ekonomisë qarkore si dhe në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Po ashtu këto iniciativa kanë krijuar mundësi të reja për gratë, të rinjtë dhe bizneset lokale duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin institucional dhe lidhjet ndërmjet komuniteteve tona. Këto rezultate tregojnë qartë se partneriteti rajonal nuk është vetëm një objektiv institucional, por një instrument i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime konkrete për qytetarët tonë”, ka thënë Krasniqi.

Ai, ka treguar se do të vazhdohet me fazën e bashkëpunimit IPA III, në kuadër të së cilës janë përzgjedh gjashtë projekte për financim.

“Sot po vazhdojmë më fazën e bashkëpunimit IPA III. Në kuadër të thirrjes IPA III janë përzgjedh gjithsej gjashtë projekte për financim të cilat do të ndikojnë në mbrojtjen e  mjedisit, adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike, menaxhimin  rreziqeve, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, ekonomisë qarkore dhe zhvillimin ekonomik në vend. Këto projekte përfaqësojnë vazhdimësinë e partneritetit tonë të suksesshëm dhe një mundësi e re për të sjellë rezultate edhe më të prekshme për qytetarët tonë”, ka shtuar Krasniqi.

Të ngjashme