“Bloomberg”: Vuçiqi po i afrohet vijës së kuqe të BE-së – shkak lidhjet e tij me Kinën

Prishtinë | 23 Maj 2026 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Nëse Bashkimi Evropian ka një vijë të kuqe në raportin e Serbisë me Kinën, presidenti Alleksandar Vuçiq mund të jetë duke iu afruar asaj.

Kështu raporton media e madhe amerikane, “Bloomberg”.

Artikulli më tej thotë se shteti ballkanik, blerësi i vetëm evropian i armatimit të avancuar kinez, këtë vit e ka përmirësuar arsenalin e tij duke përfshirë raketa supersonike nga Kina. Të radhës mund të jenë avionët luftarakë, një temë e mundshme diskutimi kur Vuçiq të vizitojë Kinën javën e ardhshme.

Një pikëmbështetje e Pekinit në kufirin e BE-së ka thelluar dyshimet për perspektivën e Beogradit për t’iu bashkuar bllokut dhe për kufijtë e strategjisë së Vuçiqit për të balancuar lidhjet me Perëndimin, Kinën dhe Rusinë.

Blerjet e armëve nënvizojnë mënyrën se si Serbia është shndërruar brenda një dekade nga një destinacion investimesh në atë që lideri kinez Xi Jinping e përshkroi si “mik të hekurt”, që mbështet pretendimin e Pekinit mbi Tajvanin. Kina është kundërpërgjigjur duke mbështetur pretendimin e Serbisë mbi Kosovën, e cila u shkëput në vitin 2008 dhe aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2022.

“Nuk ka mënyrë ligjore që BE-ja të mund të thotë: ‘Nuk mund ta blini këtë’, por kjo ngre dyshime për përkushtimin e Serbisë ndaj një infrastrukture të integruar sigurie”, tha Florian Bieber, profesor i historisë dhe politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit në Austri. “Por nuk besoj se kjo do të injorohet, apo se do të kalojë plotësisht nën radar”, shtoi ai.

BE-ja u ka thënë liderëve serbë se një rritje e mëtejshme e investimeve kineze do t’i dëmtojë gjasat e saj për anëtarësim në BE, sipas një zyrtari evropian që foli në kushte anonimiteti.

Por, me luftën në Ukrainë që po e preokupon NATO-n, raketat që fluturojnë në Lindjen e Mesme dhe goditjet e vazhdueshme të Donald Trumpit ndaj aleancës transatlantike, mund të ketë pak dëshirë për konfrontim me republikën më të madhe të ish-Jugosllavisë, e cila është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian tha se diskutimet me Serbinë për anëtarësim fokusohen në tema si sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit.

“Blerja e pajisjeve ushtarake kineze nuk është më tabu për Serbinë”, tha analisti i aviacionit Petar Vojinoviq.

Uebfaqja e tij e specializuar raportoi e para për blerjen e raketave kineze ajër-tokë CM400, pasi siguroi fotografi që i tregonin ato të montuara në avionët e Forcës Ajrore të Serbisë.

Serbia gjithnjë e më shumë e ka parë Kinën si aleat strategjik mes raportit të luhatshëm të BE-së me Beogradin dhe fokusimit të Rusisë në Ukrainë. Fluksi i madh i investimeve evropiane ka stagnuar, ndërsa interesi i familjes Trump për zhvillim pronash ende nuk është materializuar.

Vuçiqi do ta bëjë javën e ardhshme udhëtimin e tij të nëntë zyrtar në Kinë, duke nënshkruar dhjetëra marrëveshje dhe kontrata për të sjellë më shumë investime në Serbi, përfshirë prodhimin e çipave kompjuterikë dhe robotëve humanoidë, që sipas tij do të sjellin “industrializim dhe modernizim të përshpejtuar” për shtetin ballkanik, tha ai në një intervistë në Beograd të enjten vonë të kësaj jave. Ajo do të jetë një “vizitë magjepsëse, fantastike”, shtoi ai.

“Të gjithë indikatorët tregojnë se Serbia është duke devijuar nga rruga e saj evropiane”, tha Zharko Puhovski, profesor i shkencave politike në Universitetin e Zagrebit.

Investimet e Pekinit në Ballkan morën hov me iniciativën globale Brezi dhe rruga” në vitin 2013. Në Serbi, Kina ka kanalizuar më shumë se 8 miliardë dollarë investime neto dhe pothuajse po aq kredi për të mbështetur kontraktorët kinezë të përzgjedhur nga Serbia për ndërtimin e autostradave, urave dhe një lidhjeje hekurudhore të shpejtë me Budapestin. Kompanitë kineze kanë investuar gjithashtu miliarda në një minierë bakri dhe ari dhe në një fabrikë çeliku – duke e çuar hisen e Kinës në investimet e huaja direkte në Serbi në 32% në vitin 2024, nga 2% më shumë se një dekadë më parë.

Një marrëveshje e tregtisë së lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës, në fuqi që nga viti 2024, dhe udhëtimi pa viza për qytetarët e të dyja vendeve ndihmojnë në tërheqjen e më shumë se 100 mijë turistëve kinezë në vit në shtetin ballkanik.

Një Qendër Kulturore Kineze moderne dhe e madhe në Beograd, e cila ofron kurse gjuhe dhe programe shkëmbimi, është bërë simbol i fuqishëm i lidhjeve serbo-kineze: ajo u ndërtua në vendin e ish-Ambasadës Kineze, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 ndaj kryeqytetit të atëhershëm jugosllav.

Megjithatë, BE-ja mbetet burimi më i madh i vetëm i investimeve dhe granteve për grupin e vendeve kandidate që duhet t’i përshtatin ekonomitë dhe standardet demokratike me ato të BE-së.

Blloku shpesh bën thirrje për kujdes kur vendet aspirante pranojnë oferta nga kontraktorë kinezë në projekte infrastrukturore – zakonisht të shoqëruara me kredi nga bankat kineze – ose përqafojnë investime që përfitojnë zinxhirët e furnizimit të mbështetur nga Pekini. Megjithatë, lidhjet e BE-së me Kinën e tejkalojnë dukshëm gjithçka që vendet aspirante kanë arritur deri tani.

Tensionet me gjasë do të shfaqen në tregun e aviacionit, sipas analistit Vojinoviq.

Vuçiqi mund të zgjedhë avionë luftarakë kinezë për të zëvendësuar përfundimisht avionët rusë MIG për bartjen e raketave CM-400 – të cilat kanë më pak gjasa të instalohen në avionët francezë Rafale të porositur, që pritet të dorëzohen ndërmjet viteve 2028 dhe 2030.

“Avionët francezë Dassault Rafale teorikisht mund të pajisen me raketa CM-400, por në realitet francezët nuk do të lejonin asnjë formë të integrimit inxhinierik apo instalues për shkak të pronësisë intelektuale dhe konsideratave të tjera që lidhen me mbrojtjen”, tha ai.

Nëse Serbia vendos të blejë avionë kinezë si modeli J-10 nga Chengdu Aircraft, kjo do të ishte paraqitja e tyre e parë në Evropë, shtoi ai. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, zyrtarët e së cilës vizituan prodhues ushtarakë kinezë vitin e kaluar, refuzoi të komentojë.

Magjepsja e Serbisë me Kinën mund të bëhet një spektakël i vërtetë në një paradë ushtarake në Beograd në qershor, pasi Vuçiq pritet të shfaqë robotë të armatosur të prodhuar nga Kina.

Ai është gjithashtu i interesuar që ata të prodhohen në Serbi, duke llogaritur në bekimin e Xi-së për transferimin e teknologjisë.

Serbia mund të nisë prodhimin e robotëve në javët e ardhshme, tha Vuçiq të enjten në mbrëmje. Ai kishte deklaruar më herët se prodhimi i tyre nga AgiBot Innovation për një sipërmarrje mund të bëhet “një nga investimet më të mëdha ndonjëherë në Serbi”.

Të ngjashme