Gazetari nga Beogradi, Nikola Krstiq, ka komentuar protestat masive studentore të mbajtura në sheshin Slavija në Beograd, ku sipas vlerësimeve u mblodhën më shumë se 100 mijë qytetarë, duke i cilësuar ato si një goditje të rëndë për regjimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në një intervistë për mediat boshnjake, Krstiq tha se protestat nuk përfaqësojnë vetëm pakënaqësi ndaj një lideri politik, por shënojnë fillimin e një përplasjeje të thellë shoqërore me sistemin që, sipas tij, është ndërtuar mbi korrupsion, grabitje dhe trashëgimi të errët politike.
“Ky është një uragan i ri politik që do të pastrojë të gjithë ferrin dyzetvjeçar në të cilin jetojmë”, deklaroi ai, transmeton gazeta express.
Sipas Krstiqit, pushteti në Serbi u përpoq të pengonte qytetarët nga pjesë të tjera të vendit që të merrnin pjesë në protestë, duke vështirësuar transportin me autobusë dhe trena drejt Beogradit, por pavarësisht kësaj, turma masive dëshmoi se pakënaqësia popullore është më e madhe se sa pritej.
Ai theksoi se revolta aktuale nuk ka të bëjë vetëm me largimin e Vuçiqit dhe “kamarilës së tij mafioze”, por me rrëzimin e një sistemi të tërë që, sipas tij, është ngritur mbi grabitje dhe korrupsion, krime lufte, privatizime të dyshimta, poshtërim të qytetarëve dhe shkatërrim të vazhdueshëm të çdo forme solidariteti dhe komuniteti.
“Regjimi i Aleksandar Vuçiqit është fytyra më e shëmtuar e këtij procesi shumëvjeçar dhe ka ardhur koha që ai proces të ndalet”, tha gazetari serb.
Krstiq shtoi se lëvizja studentore po krijon forma të reja organizimi qytetar përmes plenumit, vetorganizimit dhe rrjeteve të solidaritetit, duke e parë këtë si embrion të një shoqërie ndryshe nga sistemi aktual që ai e përshkroi si “kapitalizëm grabitqar”.
Duke komentuar reagimin e mediave pranë pushtetit pas protestës, ai tha se establishmenti politik në Serbi ndodhet në panik dhe nuk di më si të përballet me këtë valë të re pakënaqësie.
“23 maji në Beograd tregoi se kjo lëvizje mund të shndërrohet në një përballje historike me epokën që e ka kthyer Serbinë në një parajsë për tajkunë, kriminelë lufte dhe grabitqarë ekonomikë”, u shpreh ai.
Sa i përket zgjedhjeve të reja, Krstiq tha se nuk beson se Vuçiq do të shpallë zgjedhje para vitit 2027, por paralajmëroi se koha tashmë nuk punon më në favor të regjimit.
“Sistemi llogariste në lodhjen dhe harresën e qytetarëve, por rezultoi se zemërimi i akumuluar prej vitesh është shumë më i thellë se politika ditore. Tani po shohim shpërthimin e tij”, përfundoi gazetari serb.