Autoritetet në Itali kanë ngritur nivelin e sigurisë në shkallën më të lartë, duke vendosur qindra ushtarë shtesë në qytetet kryesore, mes frikës për shpërthimin e një vale të re dhune pas përleshjeve të ashpra mes protestuesve dhe policisë fundjavën e kaluar.
Një seri protestash janë paralajmëruar të mbahen në Milano, Romë, Torino, Napoli dhe qendra të tjera urbane.
Qytetarët po shprehin pakënaqësi të thellë ndaj rritjes së kostove të jetesës, pagave të ulëta, shpenzimeve ushtarake dhe politikave të përgjithshme qeveritare, raporton euronews.com.
Fokusi kryesor mbetet në Milano, qytet i cili ndodhet në gatishmëri të plotë pas trazirave të dhunshme të 17 dhe 18 tetorit, ku përleshjet me forcat e rendit, aktet e vandalizmit dhe plaçkitjet lanë dëme të konsiderueshme materiale në qendër të qytetit.
Për të menaxhuar situatën, qeveria e udhëhequr nga kryeministrja Giorgia Meloni ka urdhëruar dërgimin e 500 ushtarëve shtesë vetëm në Milano, me qëllim përforcimin e trupave që veçse ndodhen në terren.
Përveç pranisë së shtuar ushtarake, autoritetet kanë aktivizuar mbikëqyrjen nga ajri përmes dronëve, kontrolle rigoroze në stacionet hekurudhore, si dhe kanë vendosur njësi të reagimit të shpejtë për të neutralizuar çdo përshkallëzim të mundshëm.
Paralelisht me masat në terren, policia italiane ka zhvilluar mbi 150 kontrolle dhe bastisje në Milano, Monza dhe në rreth 20 qytete të tjera, në kuadër të hetimeve për trazirat e ditëve të kaluara.
Në shënjestër të këtyre operacioneve kanë qenë personat e dyshuar për përfshirje në akte dhune, mes të cilëve raportohet të ketë edhe studentë e të mitur.