Qendra për Analiza Evropiane: Ndryshimi i pushtetit në Hungari, mund të shërbejë si model edhe për Ballkanin

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me sfida që lidhen me sundimin e ligjit, korrupsionin dhe dominimin afatgjatë të liderëve politikë, zhvillimet e fundit në Hungari po tërheqin vëmendjen e analistëve si një shembull i rrallë i tranzicionit të shpejtë politik pas rrëzimit të një sistemi të cilësuar si joliberal.

Në një analizë të publikuar nga Qendra për Analiza Evropiane (Center for European Analysis), eksperti për Ballkanin Perëndimor, zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe sigurinë rajonale, Ferenc Németh, vlerëson se Hungaria po kalon një transformim të jashtëzakonshëm politik pas përfundimit të 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit.

Sipas analizës, më pak se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit, Hungaria tashmë ka një qeveri të re funksionale dhe me orientim liberal-demokratik.

Kryeministri i ri, Peter Magyar, bëri betimin më 9 maj, simbolikisht në Ditën e Evropës, ndërsa kabineti i tij u formua vetëm pak ditë më vonë. Németh thekson se shpejtësia e tranzicionit ishte vendimtare për të parandaluar dëmet e mundshme gjatë periudhës kalimtare.

Sipas tij, gjatë javëve të fundit të pushtetit të vjetër, kishte raportime për asgjësim dokumentesh, përfundim të kontratave milionëshe në fshehtësi dhe transferim të pasurive jashtë vendit nga njerëz të afërt me regjimin e mëparshëm.

Analisti vëren se shumë figura të lidhura me partinë Fides të Orbanit kanë ndryshuar qëndrim pas humbjes së pushtetit. Disa prej tyre tashmë flasin për rëndësinë e demokracisë dhe lirisë së medias, megjithëse më parë kishin mbështetur sistemin që kritikohej për kufizimin e tyre.

Sipas analizës, ndryshimet janë vërejtur edhe në institucionet shtetërore. Televizioni publik ka filluar të funksionojë në mënyrë më të pavarur, ndërsa qeveria e re ka paralajmëruar reforma të thella në sektorin mediatik dhe krijimin e mekanizmave të rinj mbikëqyrës.

Një nga zhvillimet më domethënëse është tkurrja e shpejtë e ndikimit politik të Viktor Orbanit. Partia e tij Fides ndodhet tashmë në opozitë me vetëm 52 deputetë në parlamentin prej 199 anëtarësh.

Németh thekson se Orban, i cili më parë ishte paraqitur si lider i së djathtës konservatore evropiane dhe transatlantike, është tërhequr shpejt nga skena politike pas humbjes. Ai madje hoqi dorë nga mandati parlamentar dhe nuk mori pjesë në ceremoninë e betimit të parlamentit të ri.

Parlamenti hungarez po shqyrton tashmë amendamente kushtetuese që do të kufizonin mandatin e kryeministrit në maksimum tetë vjet, një masë që do ta pengonte automatikisht Orbanin të rikthehej në krye të qeverisë.

Ndërkohë, popullariteti i partisë Tisza, e udhëhequr nga Peter Magyar, ka vazhduar të rritet edhe pas zgjedhjeve, kryesisht në dëm të Fidesit. Sipas autorit të analizës, kjo tregon se fitorja e Tiszas nuk ishte një rastësi statistikore, por rezultat i pakënaqësisë së akumuluar të qytetarëve ndaj qeverisjes së mëparshme.

Në javët e para të mandatit, Magyar ka ndërmarrë edhe veprime simbolike me ndikim publik. Ai ka hapur për qytetarët zyrat qeveritare të përdorura nga Orban, ka rikthyer flamurin e Bashkimit Evropian në ndërtesën e parlamentit dhe ka nisur publikimin e të dhënave mbi shpenzimet dhe kontratat e qeverisë së mëparshme.

Sipas Ferenc Németh, qeveria e re po përpiqet të ruajë vrullin e ndryshimeve përmes emërimit të profesionistëve në poste kyçe. Ministrat e kabinetit të ri vijnë nga profile të ndryshme profesionale dhe politike, ndërsa fokusi mbetet te reforma institucionale dhe hetimi i çështjeve që çuan në rënien e regjimit të mëparshëm.

Analiza përfundon se Hungaria po përjeton një periudhë transformimi të shpejtë politik, ndërsa mënyra se si do të menaxhohet kjo fazë do të vëzhgohet me interes jo vetëm në Evropën Qendrore, por edhe në Ballkanin Perëndimor, ku debatet mbi demokracinë, pushtetin afatgjatë dhe reformat institucionale vazhdojnë të mbeten aktuale.

Të ngjashme