Shtëpia e Bardhë nominon ambasadorë për në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë – por jo në Kosovë

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Shtëpia e Bardhë ka dërguar në Senatin amerikan një seri nominimesh për poste diplomatike dhe pozita të tjera të larta federale, ndër to edhe emrin e Michael Youngut për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Serbi.

Sipas listës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë, Michael Young nga shteti i Utahut është propozuar për postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-së në Serbi, transmeton Zeri.

Po ashtu, për rajonin e Ballkanit janë nominuar edhe Ronald Johnson nga Massachusetts për ambasador në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Peter McCoy nga Karolina e Jugut për ambasador në Mal të Zi.

Në mesin e nominimeve të tjera diplomatike janë edhe Daniel Perez për ambasador në Brazil, Nathaniel Morris për Kolumbi, Nick Oberheiden për Egjipt, Keith Noreika për Lituani, Joseph Burkhalter për Moldavi dhe Henry Wooster për Kenia.

Emërimi i Youngut do të duhet të kalojë procesin e konfirmimit në Senatin e SHBA-së para se ai të marrë zyrtarisht detyrën në Beograd.

SHBA-ja aktualisht nuk ka ambasador në Serbi që nga largimi i Christopher Hillit nga posti në janar të vitit 2025.

Nominimi i Youngut vjen pasi administrata e presidentit Donald Trump kishte propozuar më herët Mark Brnovichun për të njëjtin post, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati.

Shtëpia e Bardhë akoma nuk ka nominuar një ambasador për Kosovë, ku që nga dhjetori i vitit 2024 udhëhiqet nga një e ngarkuar me punë.

Të ngjashme