Ismaili: Shëndeti i qytetarëve nuk guxon të lihet në mëshirë të fatit

Prishtinë | 04 Qer 2026 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Mentor Ismaili ka thënë se shëndeti i qytetarëve nuk duhet të lihet në mëshirë të fatit.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Ismaili ka shkruar se Kosova duhet të zgjerojë urgjentisht gamën e kontrollit analitik të kualitetit dhe monitorimit të produkteve ushqimore, ujit, tokës dhe cilësisë së ajrit, në përputhje me standardet më të avancuara evropiane.

Sipas tij, një shtet i përgjegjshëm nuk pret që qytetarët të sëmurën për të reaguar.

“Një shtet i përgjegjshëm investon në laboratorë, ekspertë, analiza dhe kontroll të vazhdueshëm për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve. Shëndeti publik duhet të jetë prioritet kombëtar, jo çështje dytësore”, ka shkruar ai.

Ndryshe Mentor Ismaili bart numrin 100 në listën e PDK-së.

Postimi i tij i plotë:

Shëndeti i qytetarëve nuk guxon të lihet në mëshirë të fatit

Kosova duhet të zgjerojë urgjentisht gamën e kontrollit analitik të kualitetit dhe monitorimit të produkteve ushqimore, ujit, tokës dhe cilësisë së ajrit, në përputhje me standardet më të avancuara evropiane.

Qytetarët tanë përballen çdo ditë me rreziqe të shumta që vijnë nga ndotja e ajrit, mungesa e kontrolleve të mjaftueshme laboratorike dhe prania e mundshme e substancave të dëmshme në produktet ushqimore. Në disa rajone të Kosovës, cilësia e ajrit vazhdon të mbetet shqetësuese, ndërsa kapacitetet për monitorim dhe analiza të avancuara nuk po zhvillohen nevojshëm.

Laboratorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë duhet të mbështeten me buxhet të mjaftueshëm për reagentë kimikë dhe teknologji moderne. Po ashtu, është e papranueshme që pajisje të rëndësishme laboratorike në IKSHPK të mbeten të pashfrytëzuara, kur qytetarët kanë nevojë për mbrojtje më të madhe shëndetësore.

Kemi parë raste kur në treg janë raportuar produkte ushqimore me parazitë dhe probleme të tjera të sigurisë. Këto nuk janë çështje të vogla. Çdo mangësi në kontrollin e ushqimit dhe mjedisit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin publik.

Ekspozimi afatgjatë ndaj ndotësve të ajrit dhe konsumimi i produkteve të pasigurta ushqimore mund të ndikojnë në rritjen e sëmundjeve kronike dhe problemeve të tjera serioze shëndetësore dhe për këtë ne shofim rritje enorme të pacientëve në në institutin e onkologjisë. Pikërisht për këtë arsye, institucionet duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe të investojnë në parandalim, kontroll dhe mbikëqyrje shkencore.

Një shtet i përgjegjshëm nuk pret që qytetarët të sëmuren për të reaguar. Një shtet i përgjegjshëm investon në laboratorë, ekspertë, analiza dhe kontroll të vazhdueshëm për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Shëndeti publik duhet të jetë prioritet kombëtar, jo çështje dytësore.

Të ngjashme